E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rikthimet…
Flash

Rikthimet…

Ardi Stefa

Në politikë lehtësisht ikën, por vështirë se rikthehesh. Shumë pak veta kanë qenë përjashtmi i rregullit. Përsa i përket Berishës, kjo nuk vlen (sikundër pretendojnë disa analistë), sepse ai nuk u largua kurrë.

Humbi zgjedhjet, ngeli kryetar i partisë dhe i opozitës, i fitoi ato pas disa vitesh; i rifitoi; i humbi për t’u “larguar”, i humbi përsëri edhe pse ishte në hije dhe përsëri do t’i humbasë, pavarësisht se pretendon se do të fitojë e do ta bëjë Shqipërinë Madhështore…

Arsyeja?

Ka një milion arsye pse opozita duhet të fitojë, ashtu sikundër ka po një milion arsye pse duhet t’i humbasë…

Dhe arsyeja e parë dhe më kryesore është reformimi, ndryshimi, modernizimi dhe përshtatja e opozitës me epokën e re. Reformimi në ide, burime njerëzore, vlera, meritokraci, program, retorikë e veprim.

Por a mund të ndodhë? Vështirë!

E kapur me thonj e dhëmbë pas së kaluarës; në kulte, njerëz, ide, retorikë e mentalitet opozita jonë nuk e ka seriozisht marrjen e pushtetit. Të qenët në opozitë është më komode për të. E “ngrin” kohën atje ku e tek kush i intereson, pa llogaritur që bota përreth nuk “ngrin”, as qëndron e as pret bashkë me të. Dhe, sa kohë që ajo ngujohet në pritje në kullën e saj të fildishtë, bota e njerëzit jashtë ndryshojnë e evoluojnë vazhdimisht pa pritur të zgjohet e të ndryshojë opozita që “do të rikthehet”!

Ndërkohë përpjekja e organizuar e qeverisë për të investuar e për të mos lejuar ekzistencën e një opozite serioze e konkurruese përkohësisht i ka dhënë dorë, por në fund të fundit në një moment do t’i kthehet kundër. Sepse ky investim kundër opozitës nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i një qëndrimi arrogant, ngaqë te pozita mbizotëron perceptimi autoritar se, duke qenë se nuk kishte opozitë për të ushtruar presion, gjithçka do të “rregullohej” siç donte ajo.

Opozita si kundërshtare e qeverisë nuk i intereson shumicës së elektoratit, përveç opozitës dhe ndjekësve të saj.

Në të kundërt, opozita si “qeveri e ardhshme” na intereson të gjithëve.

Natyrisht fragmentarizimi dhe pamundësia rrugëtojnë bashkë në politikë. Sa  më shumë të ngelet jashtë e larg pushtetit opozita, aq më shumë e ka të pamundur, dobësohet e zbehen karakteristikat e saj qeverisëse.

Dikur Xhulio Andreoti ka thënë: “Pushteti dobëson atë që nuk e ka!”

Dhe le të mos gënjejmë veten. Do të jetë e vështirë që të ketë ndryshim të qeverisë aktuale në 11 maj 2025.

Përveç se nëse “qeveria e ardhshme” do të jetë e sotmja me ndonjë shtesë: të ndonjërit apo disave nga opozita e sotme.

Vullnetarët? Janë të rrallë, por jo e pamundur të gjenden…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.