Ç’hall i madh ka zënë kryeministrin që po i thur lavde Altin Dumanit?!

 

Naim Noka

Pyetja  një milion euro është më e thjeshtë nga sa duket: Çfarë halli ka Babloku që po i bie daulleve të lavdeve për Altin Dumanin ditë për ditë? A e ka zënë frika, sikleti, apo thjesht ka kuptuar se në dorë të Dumanit është çelësi i derës ku përfundojnë pushtetarët që kanë ngrënë më shumë se ç’kanë dashur të gëlltisin?

Sepse, nëse një vit më parë, Altini ishte një prokuror “i thjeshtë” që duhej të tregonte veten — sot ai është bërë “Kryeprokurori i zemrës”, heroi institucional, ylli i vetëm që ndriçon në qiellin e kalbur të drejtësisë shqiptare. Të paktën kështu e portretizon Edi Rama sa herë i jepet mundësia në fushatë. Në çdo konferencë, çdo intervistë, çdo status në Facebook – vetëm lavde, brohoritje dhe mirënjohje për Dumanin. Përjashtuar rastin kur i tha: Se mos kërkon edhe telefonin tim?! Se boll ke sekuestruar telefonat e adminiatratës!

Mirëpo shqiptarët kanë një nuhatje të hollë për këto punë: kur Rama fillon të përqafojë dikë publikisht, është ose sepse e ka futur në xhep, ose sepse po përpiqet t’i japë një ‘alibi morale’ para se ta shkatërrojë nga brenda. E kemi parë me ministra, me kryetarë bashkish, me ambasadorë e deri me kundërshtarë politikë. Të gjithë kanë kaluar nga duartrokitjet e Ramës te pluhuri politik.

Dhe këtu lind dyshimi real: Mos vallë SPAK-u i Dumanit po shkon më larg nga sa ishte planifikuar në sarajet  e Surrelit? Apo thjesht, për herë të parë në këto 12 vite, dikush po vepron jashtë kontrollit të Kryeministrit, dhe ky i fundit, në vend që ta ndalojë, po përpiqet t’i ngjitet si ngjitës etik për të thënë: “Ky është i imi”?

Sepse nëse drejtësia godet Veliajn, që ishte pasqyrë e projektit “Rilindja urbane”, dhe më pas i afrohet kupolës, atëherë nuk është më vetëm Altini që ka një hall të madh për të zgjidhur. Është vetë Rama që është ulur mbi një minë me sahat që i bie gongut të fundit politik. Ndoshta ndonjë dosje e Charles McGonigal.

Ndaj, komplimentet e shumta për Dumanin nuk janë më thjesht lëpirje politike — ato janë lutje të koduara, sinjale paniku dhe përpjekje për ta mbajtur “birin rebel” brenda kontrollit të Babait Suprem të tranzicionit të përjetshëm.

Por nëse Altin Dumani është aq i drejtë sa duket, atëherë lavdet e Ramës vlejnë sa një kapele me vrimë në mes të një stuhie: nuk të mbrojnë nga asgjë. Madje, shpesh janë sinjal se stuhia sapo ka nisur.

Dhe kështu, përgjigjja për pyetjen 1 milion euro është kjo:

Babloku ka hallin e vet. Dhe nuk është hall i vogël kur SPAK-u fillon të thyejë çelësat e kasafortave ku ti ke fshehur të gjitha sekretet dhe pasuritë.

Publikuar nga Publik Media