Kush firmosi në heshtje?
Pallati i Kongreseve në Pragë Shembjeje: Kush po fshin Historinë e Tiranës për një tjetër Kullë?
Një nga monumentet më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës së Tiranës, Pallati i Kongreseve, është rreshtuar për t’u shembur dhe zëvendësuar nga një tjetër projekt gjigant privat. Me një vendim të fshehtë, të marrë në prapaskenë dhe pa asnjë konsultim publik, kjo ndërtesë simbol e qytetit po i hap rrugën interesave të pangopur të ndërtimit.
Përse? Për një tjetër kullë. Për më shumë beton. Për më shumë miliona.
Nga Tokat e Privatëve tek Sulmi mbi Pasurinë Publike
Çmimet marramendëse të pronave në Tiranë kanë nxitur një etje të çmendur për troje. Me tokat private të konsumuar prej kohësh, oligarkët dhe qeveria që i mban në shpinë kanë kthyer sytë kah pronat shtetërore. Çdo pëllëmbë trualli publik tashmë shihet si një mundësi e artë për të rritur pasuritë private.
Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) është shndërruar në mjetin më të fuqishëm të këtij operacioni. Dikur ky rol luhej nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve, e cila falte plazhet, tokat bregdetare dhe prona të tjera, por me SPAK-un gjithnjë e më aktiv, “fakulteti i tjetërsimit” është zhvendosur në këtë korporatë “fantazmë”.
Nga Vilat në Velipojë e Vlorë, tek Zemra e Tiranës
Investigimet tona tregojnë se KSHI ka nxjerrë në ankand prona publike në:
- Velipojë dhe Vlorë (vilat qeveritare),
- Prona rreth Liqenit Artificial të Tiranës,
- Zona e 21 Dhjetorit,
- Kompleksi i ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Dhe tani, Pallati i Kongreseve, një monument kulture, është radha tjetër në listë.
Shembje me Firma të Padukshme
Asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësinë publike për vendimin e shembjes. Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Shërbimet Qeveritare, të gjithë kanë firmosur në heshtje, fshehur pas njëri-tjetrit.
Ligjërisht, për të tjetërsuar një monument kulture, kërkohen procedura të komplikuara, konsultime me specialistët, vendime kolegjiale dhe dëgjesa publike. Asgjë nga këto nuk është respektuar. Vetëm një njoftim i thatë, ku thuhet se Pallati i Kongreseve do të “transformohet”.
Çfarë transformimi është ky që fillon me shembje?!
Historia e Pallatit të Kongreseve
Pallati i Kongreseve:
- Ndërtuar mes viteve 1982-1986,
- Frymëzim nga kullat tradicionale shqiptare,
- Harmoni me Muzeun Arkeologjik dhe Stadiumin “Qemal Stafa”,
- Kapacitet prej 2100 vendesh,
- Me 3 salla pune për takime dhe ngjarje të tjera.
Ky objekt nuk është vetëm një ndërtesë, është simbol dhe trashëgimi për qytetin. Shembja e tij do të thotë zhdukja e një pjese të identitetit të Tiranës.
“Tirana Mooons” dhe Paralajmërimi i Ramës
Në prezantimin e projektit “Tirana Mooons” në sheshin “Nënë Tereza”, Kryeministri Edi Rama la të kuptohej se rishpikja e Pallatit të Kongreseve është e pandalshme. Përmendi një “konkurs ndërkombëtar”, “rikualifikim” dhe ndërtim të “parkimeve nëntokësore”.
Në gjuhën e politikës shqiptare, këto janë eufemizma për një projekt të ri ndërtimor: kulla të reja, miliarda të reja, histori më pak.
Shembet edhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”
Pallati i Kongreseve nuk është i vetmi në shënjestër.
Në të njëjtën kohë, Korporata ka nisur procedurat për shembjen dhe zhvillimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Kulla dhe pasuri të reja do të ngrihen edhe aty, ku më parë stërviteshin sportistët shqiptarë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës, me një vendim skandaloz, i ka dhënë Korporatës “dritën jeshile” për të zhvilluar mbi një sipërfaqe prej 14,094.58 m².
Pse Heshtin Arkitektët dhe Akademikët?
Asnjë reagim i fortë nga akademia, nga institucionet e trashëgimisë kulturore apo nga arkitektët më të njohur të vendit. Heshtje e frikshme. Ose janë blerë me projekte dhe tendera, ose janë shantazhuar.
Në çdo vend të civilizuar, një plan për shembjen e një monumenti kulture do të shkaktonte protesta masive dhe ndërhyrje të menjëhershme të drejtësisë.
Në Shqipëri? Një njoftim, një kullë më shumë dhe një faqe historie më pak.