Alfred Lela
Nuk ka nevojë për të rreshtuar pandehmat apo prapaskenat me Ramën sa i takon raporteve të tij jo-likuide me administratën e re amerikane, dhe përpjeket për të rinovuar aksesin pas humbjes së demokratëve dhe, rrjedhimisht, rënies së peshës së Soros në Uashington.
U mjafton të shihni fushatën apo rrëfenjën (narrativën) e saj për të kuptuar se Rama po rifreskohet si pro-europeist dhe po thartohet si amerikano-skeptik. Ai po përpiqet që të kapë valën europiane të amerikano-skepticizmit pas fitores së Trump, dhe prej saj të nxjerrë përfitime elektorale të brendshme. Të kuptohemi, Edi Rama nuk është as anti-amerikan dhe anti-europian, nuk ka forcë për asnjërën, por ka nevojë për të dyja, dhe çdo spikamë e tij si i tillë apo i atillë bëhet si nevojtar politik.
Rama nuk ka më te Ambasada Amerikane një aleate, e gatshme të hidhet në zjarrin e çdo qëndrimi dhe kundravajtjeje etike apo politike të tij dhe, për më shumë, nuk ka në Uashington ombrellën mbrojtëse të familjes Soros.
Për këtë Rama i ka zhdukur 50 yjet e flamurit të Konfederatës amerikane nga e folmja e fushatës duke i zëvendësuar me 12 verdhushkat e flamurit europian. Ai po bën një operacion plastik propagandistik, të tillë sa të mos e shfytyrojë shumë para amerikanëve dhe të shihet nga europianët si një partner i besueshëm në Ballkanin e një ish-Lindjeje gjithnjë e më të paparashikueshme. Jo një fanatik i Amerikës, sidomos asaj të Trump, por një euroatlanticist, ku Europa ka vendin, zërin dhe peshën e vet.
Nuk është vetëm ndryshimi makro që e ka detyruar Ramën të marrë një kthesë, që nuk e ka dashur, gjithsesi.Fakti se bashkëshortja e tij kishte vënë emrin poshtë parathënies së librit të Kamala Harris, dhe socialistët ishin gati, me fishekzjarre e shampanjë, për të festuar fitoren e kandidates demokrate, tregonin se Rama po përgatitej për një mandat të katërt të sigurt.
Nëse Haris do të kishte fituar, fushata e Edi Ramës do të kishte qenë krejt tjetër. Në Tiranë ndërkohë kanë mbërritur ata që mundën Kamala Harris dhe familjen Soros. Një prej tyre, Chris Lacivita e bëri të qartë që ditën e pare, se nuk mund të jesh kukull e Sorosit në Tiranë dhe mik i Amerikës. Edhe pse e shpërfill si ‘Latifi’, fakti që Rama nuk e ndan asnjë ditë nga fjalitë e tij të gjata, dhe jo rrallë të përçartura, dëshmon se më shumë se ‘sheriff’ apo ‘latif’ ai është ‘siklet’ për të.
Kjo u dallua edhe te kori prej brancaleone-sh i mbështetësve të tij mediatikë pas kontratës së PD me avokatin e Trump, Carlos Trujillo. Më shumë se kontrata vetë, duket se i shqetëson fakti se nuk është bërë pas shpine, pra është e deklaruar, me emra të përveçëm që ekzistojnë në legalitet.
Rama nuk e përmend Trumpin, sigurisht-është një gabim që ka bërë vetëm njëherë, kur ai ishte ende kandidat-por nuk është i lumtur me administratën e tij. Me sa duket, përpjekjet për të gjetur një Charlie edhe mes Republikanëve i kanë dështuar.
Kjo e tërbon me Lacivitën dhe njerëzit e Trump në marrdhënie me PD. Është mësuar, për një kohë të gjatë, të jetë negociatori dhe pagatori i vetëm i ndërkombëtarëve. Është kjo dijeni e pafuqisë që e bën të flasë si i pafuqishëm. A thua se Chris Lacivita ka ardhur, jo te “SHQUP”-i, por te poçeria e tij në bunkerin e Surrelit.