SPAK-u i Dumanit sot duhet të kishte nisë procedimin penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka!

Naim Noka 

Hë pra, po tani që doli edhe vendimi i Gjykatës së Janinës, ku qartësisht vërtetohet se gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka, paska  qenë e dënuar më parë për falsifikim dokumentesh dhe e ka fshehur këtë fakt, çfarë na thoni? Do na predikoni sërish për “drejtësi të pavarur” dhe “SPAK të pakapur”? Apo do të na servirni ndonjë tjetër teori konspirative se si “rastësisht” gjithë drejtësia u përmbys për një dosje të harruar në kufi?

Sepse, nëse kemi një vendim gjykate të huaj , që konfirmon dënim penal  dhe nëse ky dënim është fshehur me dashje, atëherë nuk ka më as vend për debat e as për propagandë.

Ka vend vetëm për ligjin. Dhe nëse ligji nuk vepron sot ndaj zonjës Gjoka, atëherë kjo nuk është më drejtësi e re por  është mafie e institucionalizuar që mban togën gjyqësore në trup dhe urdhërin e pushtetit në vesh.

Ju gazetarë  sofrash me piskama servilizmi e lëpirjesh, analistë me pagesë, avokatë të pushtetit, që gjithë këto kohë na keni baltosur si “anti-reformë”, si “anti-amerikanë”,  që po sulmoni  drejtësinë. Po tani? Tani që ju del boja katran  e bardhë mbi të zezën ?  Tani që gjyqtarja që dëboi Sali Berishën nga parlamenti, na del e dënuar në Greqi për falsifikim?

Sot ju moralistë të mëdhenj që e “doni”  më shumë Shqipërinë  do ta quani  një  gabim procedurial? Që “ska lidhje me moralin dhe integritetin e gjyqtarit”? Apo që do prisni ndonjë udhëzim të ambasadës  dhe kryeministrisë për të kuptuar nëse është problem apo jo? Ka më kënetë e moçal se kaq për një shtet?!

Hë mor ju palaço të ekranit, që nga urrejtja për Sali Berishën pranuat që drejtësia t’ju drejtohej nga më mediokret e më të paaftët, përfshirë një gjyqtare me formim zero, që përmendet në korridore si “I. Maneku” e jo si profesioniste.

Sot duhet të kërkoni ndjesë për të gjithë baltën që hodhët mbi ne që kemi ngritur zërin kundër këtij teatri të turpshëm?

Hë pra, Altin Dumani, çfarë pret më? Një vendim më të qartë se ky i Gjykatës së Janinës s’ka. Është detyra jote ligjore të veprosh sot  se është ditë e hënë. Sot  tregoje se nuk je  ushtar i propagandës, por  një prokuror që ia ka borxh ligjit dhe qytetarëve të këtij vendi.

Është ligji që kërkon veprim. Dhe heshtja jote është faj dhe tradhti ndaj misionit për të cilin të kanë besuar dhe të besojnë shqiptarët.

Do ta themi më troç, të paktën shpëto nderin e institucionit që u kushton shumë shtrenjtë qytetarëve shqiptarë të raskapitur nga drejtësia e Irenave…  Shpëto sa të mundesh atë “reformë drejtësie” të shkruar nga Roland Fraizer me shokë dhe të zbatuar nga gjyqtarë me dosje të fshehura. Një pseudo-reformë që ktheu drejtësinë në vegël personale të pushtetit dhe në gozhdë për kundërshtarët politikë.

Altin Dumani, sot  është dita  për të shpëtuar  nderin e humbur të drejtësisë nga ‘Irenat’ e Yurit dhe Ramës.

Publikuar nga Publik Media