Si duhet kuptuar qëndrimi i DASH për Non Gratan e Berishës

Andi Bushati

Lajmi se Sali Berisha mund të udhëtojë lirshëm përtej Atlantikut, i ardhur pothuajse plot katër vite pas shpalljes së tij Non Grata, nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh mbi të. 

Fushata elektorale për 11 majin është në fundin e saj dhe zvenitja e këtij akti, që u stis për të shkallmuar opozitën vendase, zor se ofron kohë për të rikuperuar gjithë dëmin që i është bërë në katër vite. Pra në këtë kuptim ai është i vonuar. 

Së dyti, procesi gjyqësor ndaj tij, i kurdisur nga mashat politike të SPAK, për të justifikuar juridikisht fermanin që nënshkroi sekretari Blinken, është zhytur në zvarritje diskredituese, dhe të gjitha manovrat që u bënë për ta izoluar tashmë kanë rënë. Pra në këtë kuptim ai është i tejkaluar.

Së treti, përdorimi i sanksionit për ti hequr drejtimin e PD-së dhe për ta fragmentatizuar atë, sipas një strategjie që vijon të aplikohet, ka dështuar prej kohësh, sepse Berisha edhe u rikthye në krye të partisë edhe i bashkoi pjesët e saj të mëdha. Pra në këtë kuptim ai është i pavlerë. 

Me përjashtim të përkëdheljes së egos së plagosur të një lideri, ambicia kryeore e të cilit duket se është gjurma që kërkon të lërë në histori, lajmi i ardhur nga Uashingtoni nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe as në fatin politik, as në atë juridik të Berishës.

Sikur këto të mos mjaftonin, përmasën e të gjithë asaj që ka ndodhur e redukton më tepër edhe mënyra se si u shpall ky lajm. U gjet metoda e pyetjes së një gazetari në Departamentin e shtetit. 

Sado i njohur në rrethet politike në SHBA, ai nuk mund ta zëvendësojë nxjerrjen e një dekreti zyrtar. Pra, ne ende nuk kemi një heqje, anullim, apo zhbërje të Non Gratës. Në pikën ku gjendemi flitet thjeshtë për një zhvlerësim të saj. Kjo kuptohet lehtë po të kalosh në filigran komunikimin konciz që Departamenti i Shtetit ka pasur me korespondentin për Shtëpinë e Bardhë të agjensisë Axios, Marc Caputo. I instruktuar qartë nga lobuesit ai nuk pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë, se a është hequr sanksioni, por nëse Berishës i lejohet të udhëtojë drejt Amerikës. Përgjigjja që merr është kombinimi i një gjuhe sa perfekte aq edhe të drunjtë diplomatike. Ajo flet për rastet “përjashtuese” kur dikush mund të shkelë në ShBA. Përkthimi popullor është: Non Grata nuk është hequr ende, por ajo nuk ka më vlerë, për sa kohë Berishën, këtej e tutje, nuk e ndalon dot askush të kapërcejë oqeanin.

Pra kemi të bëjmë me një fshirje njolle, por jo me një revansh triumfal. Në këtë dyzim, në këtë akt, as kështu as ashtu, duket se ka ndikuar fuqishëm influenca ende e pa fikur e atyre që e gatuan katër vite më parë Non Gratën. Përpjekjet në Uashington, trysnia e disa mediave të lobuara aty e pse jo dhe lumi i pashtershëm i parave të zeza nga Tirana janë faktorë të ndërthurur që Berishës mos i jepej sadisfaksioni moralo-politik që priste. Shikuar kështu, ajo që ka ndodhur nuk ka ndonjë ndikim kush e di se çfarë mbi të ardhmen e tij të afërt.

 

Por, nëse personalisht për Berishën masa është gjysmake, vlera e saj për opinionin publik, për debatin që është zhvilluar furishëm këtej nga anët tona është e pa imagjinueshme.

Për katër vite me radhë skena e debatit politiko gazetaresk u nda në dy grupime skajshmërisht antagoniste. Të parët, përbetoheshin për besueshmëri ndaj një Amerike të pagabueshme. Ata i mvishnin asaj deri atribute hyjnore, duke mos i vënë në diskutim fermanët e zyrtarëve të saj më të rëndomtë. Falë një koalicioni ramistësh të pasinqertë dhe opozitarësh të cilët nuk emancipoheshin dot nga hija që u bënte Saliu, mjedisi ynë u infektua nga shumfishimi i broçkullave që lëshonte Eskobari, apo debilllëqeve prej çupëline të vonuar të Yuri Kim-it.

Kundër kësaj furie të sponsorizuar me mjete të mëdha ishte e vështirë të dëgjoheshin pak zëra, në minorancë, që nuk e përtypnîn dot si të mirqenë dogmën se Amerika ka gjithmonë të drejtë, se ajo është e pagabueshme, se vullnetit të alearit të madh strategjik, i duhej shkuar pas me çdo çmim.

Në emër të kësaj çmendurie, disa pranuan të silleshin si lshko, nga frika se mos u jepnin të hanin bar, të tjerë u bënë qesharakë, duke mohuar votën, nga frika e pjesmarrjes në kuvende anti amerikane, sistemi i drejtësisë u bë pis, duke i mohuar opozitës reale simbolet e përfaqësimit, ndërsa militantët rilindas forcuan pushtetin autokratik duke u fshehur pas slloganit “nuk bashkëpunojmë me Non Grata-t”.

Deklarata e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit ka një vlerë të jashtëzakonshme se ajo e azgjeson virusin e kësaj dalldie kolektive. Po të lexohet me kujdes ajo i jep tërësisht të drejtë grupimit të dytë, asaj pakice që mbrojti idenë e një sanksioni të lobuar shkel e shko. Ajo i jep fund fabulës së idiotëve të dobishëm të Amerikës së pagabueshme.

Aty ka një frazë kyçe, ku akti i Non Grata-s trajtohet si një vendim politik i administratës Biden, që merr peng marëdhëniet shqiptaro- amerikane. Shprehje më e fortë për të kaluar të drejtën tek ata që e kritikuan, apo e përbuzën vendimin e sorosistit Blinken nuk mund të kishte.

Pikërisht për këtë ajo që ka ndodhur ka një rëndësi të veçantë, që e tejkalon rastin vetjak të Berishës, apo debatin se ç’deri në pikë u shpëla ai.

Sfida është shumë më e madhe. Duke dëshmuar se Amerika na sheh në mënyra të ndryshme: në vartësi se cila forcë politike është atje në fuqi, në funksion të preferencave apo interesave të momentit, qëndrimi i mbajtur së fundmi, e relativizon në mënyrë të skajshme peshën që ne i japim fermaneve që na vijnë nga Uashingtoni. Vetëm budallenjtë mund të përdorin këtej e tutje argumentin “e ka thënë Amerika”, kur vetë kjo e fundit ka hedhur poshtë në mënyrë drastike vendimin e marrë para katër vitesh, të clin sot e quan si shkatrimtar në mardhëniet me shqiptarët.

Pra këtej e tutje, për të gjykuar Sali Berishën, ne nuk kemi nevojë të ndikohen as nga Blinken, madje as nga Rubio. Të dy mund ta kenë mirë, apo gabim. Por askush nuk ka monopolin e të vërtets absolute. Për ne, Berisha është ai që njohim vetë. Ai i përmbysjes së komunizmit në ‘92, por edhe ai rrëzimit të piramidave të ‘97; ai i heqjes së vizave e i antarësimit në NATO, por edhe ai i 21 janarit. Memoria kolektive për të as imagjinohet dot se mund të përcaktohet nga një dekret momental i një burokrati amerikan.

Për analogji, e njëjta gjë do të vlente edhe nëse, psh Edi Rama, do të përfshihej në një vorbull të ngjashme nesër. Ai nuk do duhej të qe më pak i adhuruar për tifozët e tij të sotëm, nëse përtej oqeanit e sankskonojnë për McGonigalin. Ai nuk do duhej të bëhej as më i zi, për ata që e kritikojnë, nëse Amerika ndryshon qëndrim kur të bjerë nga pushteti.

Asjnë ferman zyrtarësh kalimtarë nuk mund të ketë fuqi ndikuese mbi historinë që ka përjetuar mbi shpinën e tij një popull.

Dhe ky është lajmi i madh i zhvlerësimit që administrata Trump i bëri vendimit të paraardhëses për Non Grat-ën. Ajo e relativizoi edhe më tepër fuqinë hyjnore që disa u rekën ti veshin “aleatit tonë të madh”. Këtej e tutje, dekrete si ai i Blinkenit nuk mund ti shiten me shqiptarëve ashtu si pasqyrat indianëve.

Publikuar nga Publik Media