Ismiana Kobellari| Korçë
Në qytetin me kalldrëme dhe serenata, pas fasadës së bukurisë kulturore dhe trashëgimisë së pasur, fshihet një e vërtetë e hidhur që i përket të sotmes: Korça po zhbëhet nga brenda. Me një popullsi që zyrtarisht shkon rreth 60 mijë banorë dhe një qark prej 200-220 mijë, qyteti i dikurshëm i dijes dhe artit po boshatiset vit pas viti. Dhe zgjedhjet, ato që dikur duken si një “lojë për të rriturit”, sot janë kthyer në një realitet të dhimbshëm për të rinjtë që zgjedhin të largohen.
Para 12 vitesh, fjalët “votë”, “zgjedhje” dhe “udhëheqës” nuk kishin kuptim të qartë për shumë të rinj në qytet. Sot, ata janë në moshën e votës por jo domosdoshmërisht të shpresës. Shumë prej tyre e përjetojnë procesin elektoral si një farsë të përsëritur, një ritual ku të njëjtët emra, të njëjtat premtime dhe të njëjtat zhgënjime rikthehen pa ndërprerje.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në bashkinë e Korçës, fitues u shpall sërish kandidati i Partisë Socialiste, Sotiraq Filo, me rreth 21 mijë vota. Rezultat që pasqyron një status quo të ngrirë, ndonëse ankesat e qytetarëve janë të shumta: mungesë transparence, mungesë pavarësie në vendimmarrje, dhe akuza të përsëritura për blerje votash në këmbim të legalizimeve, ndihmave ekonomike apo favoreve të tjera.
Në rrëfimet e banorëve, vota shpesh nuk është më instrument shprese, por mjet mbijetese. “Për 50 mijë lekë të vjetra, shet katër vjet jetë,” thotë një i moshuar në tregun e qytetit. E ndërsa pleqtë mundohen të shtyjnë ditët me pensione të ulëta dhe kujtime të largëta për një shtet që u detyrohet, rinia mendon vetëm për një gjë: ikjen.
Sipas sondazheve të fundit, në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, Partia Socialiste parashikohet të fitojë 5 mandate në qarkun e Korçës, ndërsa Partia Demokratike pritet të sigurojë 4-5 mandate. Një ndarje që i ngjan më shumë një loje të mbyllur sesa një gare të hapur. Por diaspora, që do të votojë për herë të parë, duket se mund të ndikojë në rezultat.

Në këtë panoramë gri, dëshpërimi nuk vjen vetëm nga politikat publike, por edhe nga përditshmëria: arsim që nuk garanton të ardhme, kushte të mjerueshme në universitete, pedagogë abuzivë, mungesë punësimi, dhe më paslargim. Disa drejt kryeqytetit, shumica drejt emigracionit.

A ka shpresë për një ndryshim? “Nuk mund të mbetemi peng i zgjedhjeve që bëjnë prindërit tanë, duhet të zgjedhim ndryshe,” thotë një studente e vitit të fundit që punon pasdite në një kafene për të mbijetuar. Zëri i saj është nga të paktët që ende dëgjohet në një qytet ku rënkimi është bërë më i zëshëm se entuziazmi.
Ky është realiteti shqiptar dhe korçar: ku ministrat jetojnë me privilegje, ndërsa familjet luftojnë për bukën e gojës. Ku qeverisja ushqehet me taksat tona, por nuk përkujdeset për mirëqenien tonë. E megjithatë, ndryshimi nuk është i pamundur. Ai nis me ndërgjegjen dhe guximin për të mos zgjedhur më të njëjtën rrugë që na ka çuar gjithmonë në të njëjtin fund.
Ky maj, në Korçë, nuk ka vetëm aromë pranvere. Ka edhe një zë të mbytur që pyet: “A do të zgjedhim më mirë për herë të parë… apo thjesht do të votojmë përsëri për të njëjtin zhgënjim?”