BEN ANDONI
Ndarja e palëve politike sa u përket zgjedhjeve të fundit të përgjithshme është një panoramë e zakonshme në mjedisin tonë kombëtar. Kurse leximi i raportit të parë të OSBE\ODHIR e shpjegon edhe më shumë mjerimin tonë politik, paçka gjuhës shumë të kursyer të këtij institucioni prestigji, por jo ekzekutiv. Gjithsesi, zgjedhjet mbetën brenda standardeve të duhura, kurse përdorimi i papërshtatshëm nga kandidatët dhe aktorët politikë, që në disa qendra u tejkalua apo ushtruan dhunë, tregon se dyshimi dhe humbja e besimit janë Fe tek ne.
Siç ndodh rëndom, gjatë procesit zgjedhor, palët politike nuk e besojnë kurrë njëratjetrën, të dyja bashkë e vendosin shpesh në turbulli KQZ-në; komisionerët presohen nga partitë; numëruesit nga të gjithë; kurse në fund politikanët vetëm sa ofendojnë dhe nuk dinë të pranojnë humbjen. Berisha mbetet një lloj rasti unik, por edhe e gjithë kultura e trashëguar prej tij.
Shqetësimi tjetër i madh është se edhe pas një procesi të tërë, realizuar me Vetting për sistemin e Drejtësisë, që nxori jashtë dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, asnjëra nga palët politike, apo individët rreth tyre nuk besojnë se ka instanca përballë çdo problemi, ku mund të adresohesh. Ashtu si edhe me këto zgjedhje, ku shteti për politikën shqiptare është vetëm institucioni që ngrenë ata. Ndaj, në mes të këtij procesi, ku tashmë po ravijëzohet fituesi, humbësit po mundohen të nxjerrin çdo gjë që është e mundur ta ndyjnë si proces, kurse fituesi po përshfaqet me cinizëm në fitoren e tij, që duket e tepruar edhe nga përdorimi i shumë aseteve të palejueshme moralisht.
Në rrugën evropiane Shqipëria “moderne”, po shfaqet arkaike dhe e neveritshme, por edhe e papjekur prej vetë njerëzve të saj, kaq shumë të etur për pushtetin politik, që dihet mirë se të jep mirëqenie në vend të dinjitetit, supremaci në vend pastërtisë, fuqi boshe në vend të një normaliteti. Plagët e vendit tonë në demokraci vetëm sa po shtohen, po kurrsesi nuk po lehtësohen. Berisha i shtoi edhe një kapitull udhës së tij problematike, që e shpërbëri krejt PD-në dhe besimin e shqiptarëve, kurse Rama u hoqi dhe një kapitull tjetër shprese shqiptarëve, që presin që vendi i tyre të jetë thjesht… normal.