Është saktësisht koha për të pastruar shtëpinë tonë!

 

Madje me themel!

Adriatik Dosti

E tha Berisha këtë… do kohë më parë… por nuk e di për çfarë lloj pastrimi e kishte fjalën.

Jemi bërë pis nga brenda, Doktor… madje zhul, e jemi qelbur fare nga disa pisanjosë e zhulanjosë të cilët për bythën e karrigen e tyre e kanë tradhtuar e shitur PD-në, idealin tonë, demokracinë e demokratët, sa herë kanë dashur e si kanë dashur.

Mjafton të shohësh listat e mbyllura, o Doktor, dhe nuk lodhesh hiç fare t’i gjesh me shumicë emrat e tyre… veçmas Tirana… pa diskutuar lesh e li që është bërë në qarqet e tjera, ku i njomi është djegur bashkë me të thatin… e pra, për këtë, veç të tjerash, përgjegjësia është edhe e jotja, por edhe e kryesisë së Partisë.

Nuk mund të vazhdojmë më kështu dhe nuk mund as të na ndjekin, as të na besojnë e as të na votojnë më demokratët, o Doktor… kur ju imponohet që të votojnë Tritan Shehun, Jozefina Topallin, Bylykbashin… më keq akoma F. Nokën, A. Vokshin… e për të ulëritur T. Blushin, E. Xhixhon e M. Dodën… nën justifikimin banal… se na i imponon Aleanca për Shqipërinë “madhështore”.

Përpara kësaj “madhështores”, o Doktor, unë, por të siguroj se edhe të gjithë demokratët e ndershëm në gjithë Shqipërinë e jashtë saj… do preferonim një Shqipëri normale e të pastër dhe pa pisanjosë brenda saj…

Fredi Beleri po kërkon sot largimin tënd… hahaha… e pra, pikërisht aleanca me të e mbajtja e tij në krah të djathtë ju bëri aq pis TY e PD sa nuk ju a merr dot mendja, o Doktor… sepse populli thotë… nuk mbahet gjarpri në gji…

E dëgjon këto ditë se si kakaris ai gjeldeti i Peqinit, Dash Sula, nëpër studiot TV, o Doktor… e pra, sa pula e gjeldetër të tillë ke ende brenda PD-së, të cilët vazhdojnë të na grryejnë nga brenda prej vitesh, o Doktor… dhe pikërisht ndaj këtyre duhet nisur së pari… pastrimi i shtëpisë tonë.

I ramë kot në qafë e ju hymë goxha në hak I. Alimehmetit, E. Harxhit, A. Kalasë, M. Murrizit, B. Çollakut, e deri edhe atyre që i fituan primaret, e që ne ju mbyllëm dyer e dritare e i detyruam të largohen prej nesh… dhe këtu e kam fjalën veçanërisht për atë djalin e mrekullueshëm të Kavajës… qytetit që votoi për ne e nuk na preu në besë, e që ne e lamë pa përfaqësim…

E kam fjalën edhe për “fitoren” e ndonjë 8 janaristi, siç është fjala e Jorida Tabakut, o Doktor… ndaj së cilës do të thoja me plot gojën… thuaj se është më mirë të kalojë nga krahu i Ramës, sesa pisët fare ta llogarisë veten si fituese e krahut tonë.

Demokratët dinë se kë të falin dhe pse ta falin, o Doktor… por ata nuk mund t’i harrojnë dot Gaz Bardhët, Gjekmarkajt, Salianjët, Çollakët, Gridat, Pampurët, Ackat, Bejkot, Alibeajt e veçmas Bashën e tyre multi-negativ… të cilët në emër të këtij “pastrimi të shtëpisë sonë” ne çuditërisht i vumë në rolin e fshesës… e pastaj themi… pse humbëm?

E kam thënë edhe më parë publikisht, o Doktor… nuk bën sens fjala vjen që të vijë S. Kaçaj prej Shëngjini e të fitojë në lagjen puro tironse të Kaçelëve për midis Tironës… e goca jonë me vlera të veçanta intelektuale, demokratike e antikomuniste, Keda Kaçeli, të figurojë humbëse prej votës së banorëve, komshinjve e fisit të vet… është absurditet klasik.

E ke pyetur mirë veten, o Doktor, fjala vjen pse humbëm në Dibër…? E pra, ta them unë troç e publikisht… sepse nuk shkohet më në beteja të tilla për fitore me Kalin e Trojës që quhet Xh. Mziu… ok.

Të siguroj e të garantoj më shumë se 100 %, o Doktor, se partickat e reja të A. Shehajt, Qorrit, Llapajt, etj., nuk lindën fare rastësisht, ore jo… e as fituan rastësisht nga 1 apo 2 mandate, por ato e kanë së pari zanafillën e lindjes e mbështetjes së tyre pikërisht te pisanjosët tanë brenda PD-së tonë…

Edhe pse ndaj Shkodrës e Kavajës, por edhe Kukësit e Krujë – Fushë Krujës… PD ndër vite ka gjynahe të mëdha… ato na votuan ne sërish, o Doktor… e pra, që këtu nis analiza, e që këtu duhet të nisë ai pastrimi me themel i shtëpisë tonë.

Kemi humbur votat e diasporës (çka unë e kërkushi si unë nuk e besojnë dot absolutisht)… ok… o Doktor… po Jozefina, e ngarkuar direkt me këtë çështje e që ju e PD e vutë të sigurt në listat e mbyllura, nuk paska asnjë lloj përgjegjësie…? Por një e dy… del në TV e justifikohet… me vjedhjen, batërdinë e masakrën e Ramës që do ja kishte zili edhe Putini…?

Ç’ne gjithë kjo lukuni ujqërish që i janë vërsulur këto ditë PD-së e TY personalisht, o Doktor… e i gjithë ky soj bastardësh po kërkojnë kokën tënde e shkrirjen e së parës parti opozitare shqiptare… a e ke pyetur seriozisht veten se cilët janë, nga vijnë e çfarë përfaqësojnë…?

E pra, janë pikërisht ata ndaj të cilëve PD duhej të ishte pastruar me kohë, o Doktor… se prandaj vazhdojmë të jemi ende kaq pis, e prandaj ai lloj “pastrimi i shtëpisë tonë” që the ti pak kohë më parë, nuk e bëri efektin e duhur.

Nuk po ndalem më te bukëshkalët e mosmirënjohësit, o Doktor… ani pse, si fare e keqe hislli, janë shtuar vërtet shumë… atyre unë, JU… PD-ja e demokratët, ju kemi lënë Zotin… për gjykim e për ndëshkim.

I bindur më shumë se 100 % që Rama nuk ka fituar, por edhe ne nuk kemi humbur… e derisa të ftillohet uji i krojit tamam, pasi më parë është turbulluar mjaft… unë, o Doktor, po pres e nuk po ngutem për të bërë publike analizën time, ndoshta të titulluar… Fitoi Rama apo humbëm ne?

… ku ishte “merita” e tij e ku gabuam ne.

I bindur plotësisht për masakrën tipike të vazhduesve – pasuesve komunistë e antishqiptarë të 1945-s… personalisht, o Doktor, unë sot ndihem i trishtuar, por kurrë JO i humbur e i dorëzuar.

Do ta bëj publike në kohën e duhur edhe analizën time të 11 majit të zi të 2025… duke përfshirë në të kombëtarët e ndërkombëtarët… por jo tani, pasi gjykoj se nuk është as koha e as momenti i duhur… ok.

Duke besuar e shpresuar ende se pikërisht kuptimi e zbatimi i saktë i asaj shprehjeje të cilën ju e thatë publikisht pak kohë më parë (të pastrojmë së pari shtëpinë tonë), e që ne demokratëve e antikomunistëve sikur na ngjiti e na pëlqeu fort… që prej pas 11 majit 2025 do të marrë kuptimin e duhur e do të gjejë zbatimin e pritshëm.

Zot më ruaj nga i imi… se nga i huaji ruhem vetë… duhet shkruar në ballë të Selisë Blu… mendoj unë, o Doktor… dhe të siguroj se nuk e kam hiç gabim.

Publikuar nga Publik Media