Nga Naim Noka
Në një vend ku korrupsioni institucional është bërë normë dhe arroganca e pushtetit shfaqet përditë në forma gjithnjë e më brutale, fjala e lirë është kthyer në shënjestër. Dhe këtë herë, një tjetër përfaqësuese e qeverisjes lokale, Anuela Ristani kryetare në detyrë e Bashkisë Tiranë ka zgjedhur ta shfaqë këtë agresivitet me një fjalor të denjë për rrugën, jo për zyrën.
“Legena, maniakë, turpi i gazetarisë” këto janë jo vetëm fyerje, por forma të qarta dhune verbale ndaj një gazetari dhe një që bën pikërisht atë që një shoqëri e shëndetshme do ta duartrokiste: kontrollin e pushtetit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Pushteti që ulëret kur e kap kamera
Në vend që t’i përgjigjej qetësisht pyetjeve të gazetarit , lidhur me përdorimin e makinës dhe shoferit të Bashkisë nga bashkëshorti i saj, Ristani zgjodhi të shpërthente në akuza, etiketime dhe një viktimizim emocional të organizuar për të shmangur pyetjen e vetme që ka rëndësi: A po abuzohet me fondet dhe resurset publike?
Në vend të përgjigjes, ajo dha spektakël vulgariteti. Në vend të transparencës, një lumë fyerjesh. Në vend të llogaridhënies, një përpjekje për të kriminalizuar gazetarinë kritike si “shantazh”, “përndjekje”, madje dhe “terrorizëm psikologjik”.
Në çdo vend demokratik, kjo do të përbënte një abuzim me detyrën publike dhe një përpjekje për të penguar median në misionin e saj kushtetues. Në Shqipëri kjo është një ditë e zakonshme në zyra publike.
Kur gazetaria quhet “maniakëri”, politika është bërë bunker i modelit Rama
Gjuha e Ristanit nuk është një “reaksion emocional” është një strategji e mirëmenduar për t’i dhënë sinjal të qartë gazetarëve: “Nëse na prekni, do ju baltosim, do ju etiketojmë, do ju bëjmë armiqtë e popullit.”
Nuk është rastësi që po sulmohen të gjithë gazetarët që përpiqen të mbajnë të ndezur dritën në errësirën e kontrollit total të pushtetit.
Pushteti nuk është privat makinat, shoferët, fondet nuk janë pronë personale
Çështja që solli këtë debat nuk është private. Është krejt publike. Kur burri i një zyrtare përdor makinën dhe shoferin e Bashkisë që e paguajmë nga taksat e qytetarëve për qëllime personale, gazetaria ka jo vetëm të drejtë, por detyrim për ta hetuar.
Dhe çdo përpjekje për ta devijuar çështjen tek “privatësia” apo tek “mbrojtja e fëmijëve” është një taktikë e shëmtuar për të manipuluar publikun me ndjenja dhe për të zhdukur nga vëmendja abuzimin me pushtetin.
Gazetaria që heton përdorimin e burimeve publike është interes publik i pastër as përndjekje, as maniakëri, as shantazh.
Heshtja institucionale po legjitimin gjuhën e dhunës ndaj medias
Edhe më e rrezikshme se fjalori i Ristanit është heshtja e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë aparatit politik që e vendosi atë në Bashkinë e Tiranës. Kjo heshtje është aprovim i heshtur për të sulmuar median. Është një leje për ta shtypur zërin e gazetarëve që nuk i puthin duart pushtetit.
Dhe sa kohë që nuk ka një reagim institucional, kjo nuk është vetëm një çështje e Anuela Ristanit është një çështje e sistemit Rama.
Fundi i fjalës së lirë nuk vjen me ligje. Vjen me fyerje, baltë, dhe frikë
Nëse ky precedent nuk ndalet, nesër çdo gazetar që ngre pyetje për shpenzimet publike mund të etiketohet “maniak”, “legen”, apo “turp i gazetarisë”.
Prandaj, çdo zë publik duhet të rreshtohet përkrah gazetarit Edon Kuqi dhe çdo gazetari që ka guximin të kërkojë llogari. Të heshtësh sot përballë sharjeve, do të thotë të lejosh që nesër të vijnë plumbat.
Gazetarët nuk janë armiq. Janë mbrojtësit e fundit të së vërtetës në një vend ku ajo goditet përditë. Dhe ne si media nuk do të heshtim para ‘Anuelave’ që abuzojnë deri në detaje me pushtetin.