Klodian Tomorri
Meta dhe Veliaj në burg pa akuzë zyrtare. Beci? I pandehur prej vjeshtës, por në detyrë si asgjë të mos ketë ndodhur
Ilir Meta dhe Erion Veliaj janë prapa hekurave pa një aktakuzë të prerë. Ndërkohë, Benet Beci, kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, rezulton se është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK që në tetor të vitit të kaluar, për “shkelje të barazisë në tendera”. Po për çfarë tenderi bëhet fjalë? Për një projekt kërkimor që hë për hë duket më shumë si skemë korrupsioni sesa “barazi e shkelur” – sepse 40% e fondit është “rruar” me mjeshtëri.
E megjithatë, zoti Beci vazhdon të jetë në detyrë, duke drejtuar pa shqetësim bashkinë më të madhe të Veriut. Dhe drejtësia? E heshtur. Në heshtje është marrë i pandehur, në heshtje i është zgjatur afati i hetimeve, në heshtje ka vijuar dhe fushatën.
Në muajin prill të këtij viti, prokurori i çështjes kishte afatin për të vendosur: ose ta mbyllte dosjen dhe të rrëzonte akuzën, ose ta çonte për gjykim. Çfarë bëri? As njërën, as tjetrën. Thjesht kërkoi shtyrje afati – tri javë para zgjedhjeve – por ndryshe nga rastet e tjera, këtë herë pa asnjë njoftim publik. Asnjë zë, asnjë deklaratë. Zyrtarisht i pandehur, por në mënyrë jozyrtare “rehat”.
Tani prit pak. Mos ndoshta është gjithçka e dakordësuar me FBI-në dhe partnerët amerikanë? Se thuhet që në atë tenderin famëkeq, përveç 800 milionë lekësh të shpërndara, 500 ishin për “profesorët e Harvardit” e 300 për “ne me dy klasë”, siç i shkruante Vis Berberi vetë Benetit. Dhe çuditërisht, tenderi u bë fiks si në mesazh.
Nëse s’ka veprim penal ndaj një kandidati në fushatë, vetëm sepse “po presim një opinion nga jashtë”, atëherë kemi një problem shumë më të madh se shkelja e ligjit – kemi suspendim të drejtësisë për interesa politike.
Nëse për bandën e Durrësit na vonuan italianët, për këtë tender na vonoi FBI-ja. Nesër ndoshta do na vonojnë gjermanët. Pasnesër francezët. E kur të mbarojnë të gjithë, do dalim të thonë që “jemi në kontakt me autoritetet kineze për një konfirmim etik të hetimit”.
Por le ta thjeshtojmë: nëse në një ndeshje futbolli, një lojtar meriton karton të kuq dhe arbitri vendos të mos ia japë, a quhet manipulim rezultati? Sigurisht që po. E nëse në Shkodër, kryetari i bashkisë ishte “për të kuqe” tri javë para zgjedhjeve, a nuk ka të drejtë Sali Berisha të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara?
Përgjigjen nuk e jep as SPAK-u, as FBI-ja. E jep logjika më e thjeshtë: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe në këtë rast, edhe zgjedhje e manipuluar.