Të rinjtë po blejnë më pak shtëpi, dhe kjo nuk është zgjedhje e tyre. Sipas “The Economist”, pronësia e shtëpive nga kjo kategori e shoqërisë po bie në nivel global. Normat po bien edhe në “disa nga ekonomi të mëdha e të përparuara”.
Ekspertët thonë se kjo është pasojë e tregjeve të punës që po ndryshojnë shumë, mungesës dhe inflacionit, që i ka penguar të rinjtë të përmbushin një ëndërr të synuar për breza të tërë. Ndër rajonet e botës ku të ardhurat nuk kanë mbajtur ritmin me çmimet e banesave janë Evropa Jugore, qytetet aziatike dhe shumica e vendeve anglishtfolëse.
Sipas Eurostat në mbarë Evropën, shkalla e pronësisë së shtëpive midis të rinjve 25-34 vjeç ra nga 25 për qind në vitin 2005, në 11 për qind në vitin 2018. Në Evropën Jugore, normat e pronësisë së një shtëpie nën moshën 35 vjeç, kanë rënë me mbi 10 për qind për ata që kanë lindur në vitet 1980.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror, vetëm 50 për qind e të rinjve në këtë grup demografik zotërojnë shtëpitë e tyre. Ky fakt ka kosto të mëdha sociale. Sepse të rinjtë që nuk e përballojnë dot blerjen e shtëpisë, kanë më shumë gjasa të vonojnë krijimin e familjes së tyre.
Së bashku me krizën e kostos së jetesës dhe rënien e shkallës së lindjeve në mbarë botën, çështja e pasjes së një shtëpie ka pasoja të gjera. Në Spanjë, Instituti i Barcelonës për Kërkime Urbane, theksoi në tetor 2024, se shumë qiramarrës nuk do të jenë më në gjendje të zotërojnë një shtëpi edhe kur të jenë në moshë madhore, madje edhe në pleqëri.
Ky ndryshim, është veçanërisht shqetësues sepse e kufizon aftësinë e të rinjve për të grumbulluar pasuri përmes pronësisë, një nga rrugët kryesore drejt stabilitetit financiar për brezat e mëparshëm. Ndërkohë në Itali, numri në rënie i pronarëve të rinj të shtëpive po shkatërron strukturën bazë të shoqërisë.
Në këtë vend, dominon tendenca e shtëpive si investim dhe simbol tradicional i familjes. Rreth 74 për qind e popullsisë, jeton në shtëpitë që zotëron. Por pagat e pandryshuara, normat e larta të papunësisë tek të rinjtë (34.7 për qind) dhe normat në rritje të interesit të kredive, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë blerjen e shtëpive dhe krijimin e familjeve.
Edhe në Greqi, të rinjtë nuk kanë mundësi të përballojnë blerjen e shtëpive, prandaj detyrohen të jetojnë më gjatë me prindërit e tyre. Zakonisht një grek largohet nga familja për të jetuar i pavarur në moshën 30.7 vjeç, dhe më shumë të rinj të moshës 18-34 vjeç jetojnë me prindërit e tyre sesa mesatarja e të rinjve evropianë.
Kjo dinamikë u përkeqësua gjatë Recesionit të Madh, pas të cilit Greqia pati vështirësi të rivendoste normat e pronësisë së shtëpive në gjendjen e saj para vitit 2008. Kriza ekonomike i pengoi të rinjtë të kursenin, ndërsa nga ajo kohë çmimet e shtëpive dhe të qirave janë rritur.
Që nga viti 2021, mbi 1/3 e të ardhurave të disponueshme familjare në vend ndahet për shpenzime të lidhura me strehimin, më e larta midis vendeve të BE-së. Strehimi mbetet i papërballueshëm edhe në qytetet kryesore të Britanisë së Madhe.
Kriza është përshpejtuar që nga fillimi i krizës së kostos së jetesës në vitin 2021. Kostot më të larta të ushqimit, energjisë elektrike dhe karburantit, të cilat u nxitën nga lufta Rusi-Ukrainë dhe sanksionet mbi naftën ruse, e kanë rritur inflacionin në vend.
Dy milionë aspirantë për të blerë shtëpi nuk mendojnë se do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Kjo sepse çmimet e shtëpive janë rritur ndjeshëm, sidomos në Londër, një nga qytetet më të shtrenjta në botë. Vende të tjera anglofone, po vuajnë nga kriza e kombinuar e kostos së jetesës dhe e strehimit.
Në Sidnej të Australisë çmimi mesatar i një shtëpie e tejkaloi shifrën 1 milion dollarë australianë (652.000 dollarë amerikanë). Ky vend njihet për disa nga qytetet me koston më të lartë të jetesës në botë. Kriza e strehimit është akute edhe në Japoni.
Vitin e kaluar, një studim i Institutit Ekonomik të Pasurive të Paluajtshme zbuloi se çmimi mesatar i shtëpive në kryeqytetin japonez Tokio është rritur për të tretin vit radhazi dhe çmimet e apartamenteve të reja janë rritur për të pestin vit radhazi.
Çmimi mesatar i një apartamenti në Tokio, është 15 herë më i lartë se sa paga mesatare vjetore e një punonjësi me arsim të lartë. Të rinjtë që synojnë të blejnë shtëpi për të krijuar familjet e tyre, detyrohen të kërkojnë jashtë Tokios, në periferi.
Krahasuar me fqinjin e saj jugor, çmimi mesatar i një shtëpie në Kanada ishte në vitin 2022, 30.000 dollarë më i lartë se sa mesatarja në SHBA. Çmimet shënuan rekorde pas pandemisë së Covid-19. Çmimet e larta të shtëpive, kanë bërë që shumë të rinj në zonat e mëdha të Torontos dhe Vankuverit, të jenë dyshues në lidhje me mundësinë e blerjes së një shtëpie në të ardhmen.
Sipas një ankete të Mortgage Pros në vitin 2023, gati gjysma e qiramarrësve kanadezë, nga të cilët të rinjtë përbëjnë grupin më të madh, kanë hequr dorë nga qëllimi i tyre për të blerë një shtëpi./ “Worldcrunch”