Skema e re e Thesarit të Shtetit: Ballafaqimi i klaneve dhe kontrata 7.6 milionë euro që po ndizet në prapaskenë
Në skutat e errëta të prokurimeve publike po konsumohet një tjetër skemë e dyshuar korrupsioni me shijen karakteristike të “Rilindjes”. Këtë herë bëhet fjalë për projektin e përmirësimit të Sistemit të Thesarit të Shtetit, një kontratë me vlerë 7.6 milionë euro pa TVSH, që po kalon duart nga një klan në tjetrin – me bekimin e Linda Karçanajt dhe heshtjen e institucioneve mbikëqyrëse.
Në garë janë dyshen Ermal Beqiri dhe Gentian Lika, përkatësisht me kompanitë “Horizon” dhe “Communication Progress”, të cilët janë kualifikuar si fitues të pritshëm nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një vendim që po sfidohet në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) nga Gerond Meçe, ish-ortaku i Armand Frangut, baxhanak i kryeministrit Edi Rama.
Luftë klanesh për tenderin e Thesarit
ABS Advanced Business Solutions, kompania që ka marrë mbi 43 milionë euro nga shteti shqiptar përmes 800 transaksioneve publike, është skualifikuar këtë radhë. Meçe, i larguar pas denoncimeve të Arben Ahmetajt dhe nën hetim për përfitime të dyshimta nga tenderët sekretë, po përpiqet të ndalë skemën e re duke ankimuar procedurën.
Në ankesën e bërë më 19 qershor 2025, Meçe kërkon:
- Shfuqizimin e skualifikimit të ABS nga gara,
- Anulimin e kualifikimit të bashkimit të “Horizon” të Ermal Beqirit dhe “Communication Progress” të Gentian Likajt.
Por SPAK tashmë ka ndërhyrë dhe ish-kryetari i KPP-së, Jonaid Myzyri, është larguar nga detyra, duke zbehur shanset e Meçes për ta kthyer rezultatin.
Kush janë të përzgjedhurit e Karçanajt?
“Horizon” ka një histori të errët. KLSH në një auditim zbuloi se kompania nuk ka zbatuar kontratat, ndërsa AKSHI nuk i ka mbajtur as garancinë 117 milionë lekëshe. Ajo rezulton e lidhur me një kompani offshore në Qipro, “Comscope Limited”, me administratorë grekë dhe qipriotë, ndërsa sot është në pronësi të plotë të Ermal Beqirit, ish-drejtor IT në Hipotekë dhe këshilltar informatik në kabinetin e Edi Ramës.
Beqiri është personazh i njohur në skandalet e IT-së në Shqipëri: nga ekspertiza që shpëtoi Ilir Metën nga Gjykata e Lartë, te afera e serverit të Tatimeve, ku të dhënat u zhdukën dhe u përdorën nga të tretët. Më pas, ai mori kontrollin e “Soft & Solutions”, një tjetër kompani me miliona euro tenderë nga shteti, për të cilën KLSH ka konstatuar mangësi të rënda në zbatimin e kontratave.
Ndërsa Gentian Likaj, përmes “Communication Progress”, ka përfituar projekte strategjike, si platforma e-Transport për DPSHTRR me vlerë 2.2 milionë dollarë, edhe ky i kritikuar nga KLSH për probleme funksionale.
Nga ABS te “Horizon”: Thesari, si trofe i pushtetit
Ermal Beqiri dhe Gentian Lika janë furnizuesit e rinj të preferuar të pushtetit, ndërsa kompania e Meçes dikur instrument i padiskutueshëm i tenderëve sekretë është djegur si kartë pas hetimeve të SPAK dhe përgjimeve ambientale ku përmendet familja e kryeministrit. Ahmetaj ka deklaruar se përgjimet ekzistojnë dhe kopjet qarkullojnë jashtë kontrollit të AKSHI-t dhe SPAK-ut.
Tani loja ka ndryshuar. Thesari i Shtetit, një nga sistemet më të ndjeshme të financave publike, po kalon në duart e një tjetër klani, ku aksionet ndërrohen në heshtje, përmes offshore-ve në Qipro dhe partnerëve të padukshëm.