SPAK merr të pandehur Erion Veliajn dhe bashkëshorten Xoxa
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në hetimet e nisura ndaj tij. Vendimi u është komunikuar tashmë avokatëve të Veliajt, ndërkohë që ditën e nesërme, më 23 Korrik, pritet t’i bëhet komunikimi zyrtar i akuzave edhe vetë Veliajt, kur ai të transportohet nga paraburgimi i Durrësit në ambientet e SPAK në Tiranë.
Po të mërkurën, të njëjtin fat do ta ketë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës do të ngrihen zyrtarisht akuza, duke e futur kështu në një spirale hetimesh të nivelit të lartë të gjithë rrethin familjar të kryebashkiakut të pezulluar.
Ndërkohë, në ambientet e SPAK është paraqitur sot biznesmeni Elman Abule, i cili gjithashtu është shpallur i pandehur për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, kryer në bashkëpunim”. Abule ishte arrestuar më 10 shkurt, por aktualisht ndodhet në arrest shtëpie me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Arrestimi i Veliajt më 10 Shkurt brenda ambienteve të Bashkisë shënoi një moment kulmor të përballjes së drejtësisë me zyrtarë të lartë të pushtetit vendor. Të tre shkallët e gjyqësorit kanë lënë në fuqi masën “arrest me burg”, çka e bën të paqartë të ardhmen e tij në detyrë.
Në sfond të zhvillimeve në drejtësi, burime nga brenda mazhorancës raportojnë se kryeministri Edi Rama ka intensifikuar takimet në Tiranë dhe po ndërton terrenin për një riformatim të thellë politik, që mund të kulmojë me zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës në vjeshtë. Megjithatë, vendimi për këtë mbetet në dorën e Presidentit Bajram Begaj, i cili duhet të shkarkojë zyrtarisht Veliajn për të hapur rrugë për zgjedhjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



