E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush je ti që telendis gjyqtarët  nga ballkoni i Facebook-ut?
Lajme

Kush je ti që telendis gjyqtarët nga ballkoni i Facebook-ut?

Kush mbolli paligjshmërinë? Gjyqtari Hazbi Balliu apo administrata e korruptuar e Ramës?

Zoti Kryeministër,

Sot, ashtu si shumë herë më parë, dolët në skenën tuaj të preferuar ballkonin virtual të Facebook-ut  për të hedhur baltë mbi drejtësinë. Një tjetër status me flakë e tym, një tjetër show për të shfryrë mllefin politik ndaj një gjyqtari që nuk ju bind. Sot ishte Hazbi Balliu. Dje ishte dikush tjetër. Nesër do jetë një tjetër. E përherë faji është i drejtësisë. Kurrë i juaji.

Por kush jeni ju, zoti Rama, që në mënyrë selektive, sipas leverdisë ditore politike, merrni rolin e gjykatësit suprem dhe e ktheni drejtësinë në mish për top në llogoren tuaj të propagandës?

Ju thoni se kërkoni drejtësi. Por drejtësia nuk vjen nga “reagimet tuaja të forta”. Drejtësia nuk bëhet me statuse në Facebook. Drejtësia nuk është teatër, është sistem. Dhe sistemi që kemi sot është produkti i reformës suaj – e dirigjuar, e mbikëqyrur dhe e kontrolluar nga shumica që ju drejtoni prej një dekade.

Pra, nëse drejtësia është e kapur, e frikësuar apo e çoroditur, kjo nuk ndodhi nga gjyqtarët si Hazbi Balliu, por nga pushteti juaj që ndërtoi një sistem me fasadë reforme dhe themel kapjeje.

Drejtësinë e kërkoni me zë të lartë, por heshtni për zyrat që shesin shërbime. Heshtni për hipotekat që ndajnë prona në këmbim të zarfeve. Heshtni për tenderët që fitohen në WhatsApp. Heshtni për ministrat që shkelin ligjin dhe për drejtorët që pasurohen përmes firmave natën. Heshtni për bandat që ndajnë lejet e ndërtimit nëpër bashki, siç ndajnë plaçkën pas grabitjes.

Ju flisni për shtet ligjor, por asnjë emër nuk përmendni kur bëhet fjalë për vjedhjet me logo shteti. Ju mërziteni për një vendim gjyqësor, por nuk keni dhënë asnjë shpjegim për 1 miliard euro në vit që Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron humbje nga abuzimi me fondet publike. Tenderi i sterilizimit, check-up-i, hemodializa – janë plagë që ende kullojnë, dhe askush nuk është ndëshkuar. Për këto nuk keni bërë asnjë status. Nuk ka “Gjela” e “Ballinj” në këto skandale.

Zoti Rama,

Kush jeni ju që telendisni emra gjyqtarësh në publik, i etiketoni si “antishtet” dhe “antiligj”, kur janë pikërisht ata që duhet të jenë të pavarur nga presioni politik? Po integriteti i drejtësisë ku është, kur pushteti ekzekutiv, përmes jush, kthehet në censuruesin e çdo vendimi që nuk i përshtatet vullnetit tuaj?

Hazbi Balliu mund të ketë bërë një vendim që ju nuk e pëlqeni. Unë nuk e njoh as dhe as nuk më duhet fare! Por kush je ti që telendis një gjyqtar me mllefe dhe mixin erërëndë  të rrjeteve sociale?!

Ju doni drejtësi që ju bind, jo drejtësi që vendos. Dhe le të flasim troç: kush i lejon ndërtimet pa leje që sot ju i konfiskoni me propagandë? Kush firmos dokumentet që lejojnë ngritjen e fshatrave turistikë në Theth, apo të pallateve në mes të Tiranës? Mos vallë bien nga qielli? Apo janë produkt i një administrate të kalbur, që vepron nën dritën jeshile të pazarit dhe në errësirën e mosndëshkueshmërisë?

Përpara se të bëni moral për ligjin, filloni nga pastrimi i oborrit tuaj të molepsur nga korrupsioni. Filloni nga ndëshkimi i atyre që abuzojnë çdo ditë me qytetarët në emër të shtetit. Sepse qytetarët nuk e shohin drejtësinë në një vendim gjykate ata e prekin drejtësinë kur marrin një shërbim pa ryshfet, kur ndërtojnë një shtëpi pa mik, kur regjistrojnë një pronë pa telefonatë partie.

Në fund të ditës, drejtësia nuk është ajo që ju kërcënoni. Mund të vonojë, por nuk do harrojë. Dhe nuk do kursejë as ju, as ata që për vite me radhë kanë ndërtuar një regjim në emër të reformës, por në funksion të pushtetit.

Drejtësia nuk është dekor për fushatë, lloqe për  spektakël “Sy m’sy” në sëdiljen e benzit lluksoz. Është themeli i një Republike. Dhe ajo Republikë nuk mund të qëndrojë më mbi shfryrjet tuaja  emocionale online, por mbi ligjin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.