Pa të drejtë morale të kërkoni lirinë e fjalës!
Gazetari Adriatik Dosti ka reaguar ashpër në Facebook pas protestës së punonjësve të News 24 përpara godinës së televizionit, duke i akuzuar se kanë heshtur për vite ndaj shkeljeve të pushtetit dhe pronarit të tyre, ndërsa sot kërkojnë solidaritet për lirinë e fjalës. Dosti i ka bërë thirrje gazetarëve të ndershëm brenda medias që të distancohen nga “perandoritë fallse mediatike” dhe të luftojnë si kundër pronarëve të korruptuar ashtu edhe ndaj qeverisë.
Shkrimi origjinal i Dostit
Te gjithe atyre qe u mblodhen sot para godines se News 24 per te “mbrojtur” fjalen e lire e lirine e fjales…
Nuk po ju them kolege sepse absolutisht nuk meritoni të jeni të tillë sipas logjikës, konceptit dhe këndvështrimit tim, që misionin e gazetarit e quaj ndërgjegje kombëtare… guxim, trimëri, forcë morali, dinjitet e karakter… pa përlyerje me askënd dhe detyrim ndaj së vërtetës… ndaj vendit e popullit tuaj.
Të keqen e keni së pari me veten që jeni shndërruar prej kohësh në skllevër të pronarëve tuaj… në spiunë, servilë e “bythëlëpirës” të tyre… dhe mesa di unë, skllavi s’ka liri… atëherë çfarë lirie kërkoni ju?
Të keqen e keni me Ramën, të cilin e keni në kokë në gjumë e në ëndërr… e të cilit nuk guxoni dot as t’i thoni “plac”.
Të keqen e keni me “kapterrin” tuaj pronar, Irfan Hysenbelliu, i cili me abandonimin që ju bëri sot, ju dha fare qartë përgjigjen e tij se ç’jeni ju për të… të cilin ju ende vazhdoni ta mbani siç thotë populli “si lepurin në bark”.
Asnjë TV tjetër nuk e ka transmetuar “dramën” që po ndodh me ju (ndoshta të paktën si lajm duhej ta kishin dhënë), sepse çfarë mbjell, atë do korrësh… si të bësh, ashtu do gjesh… kështu keni bërë edhe ju prej kohësh e deri dy ditë më parë, kur Rama & Fania ju fikën sinjalin… në fakt, jeni ju që me çfarë keni bërë gjithë këto vite ia keni fikur vetes sinjalin si gazetarë e si televizion.
Ju të parët nuk e dhatë kurrë as si lajm veprimin e ndyrë të kryeministrit Rama, teksa shtynte e godiste me shpulle gazetaren Ambrozia Meta, apo kur e denonte publikisht me mbyllje dyersh… njësoj vepruat kur të njëjtës gazetare, të guximshme e kurajoze, Brace i ngriti dorë fizikisht… e sa e sa raste të tjera që ju jo vetëm ju bëjnë me turp, por ju heqin edhe të drejtën morale e profesionale për të kërkuar ndihmë, mbështetje dhe solidaritet nga kolegët tuaj.
E megjithatë, TV ku punon ende Ambrozia sot ju doli fuqishëm në krah e u solidarizua me ju si askush tjetër.
A ka gazetarë e punonjës mediash të ndershëm, korrektë, të pa përlyer e profesionistë midis jush? Natyrisht që ka… dhe në krah të tyre unë kam qenë e do të jem deri në frymën time të fundit.
Edhe pse janë pak e me kokrra, unë personalisht në këtë situatë të krijuar me mbylljen e News 24 – me të cilën po abuzohet shumë e po ngatërrohet “keku me byrekun” – u bëj atyre thirrje të sinqertë që të ngrihen, të organizohen dhe të kërkojnë së pari me çdo mjet rrëzimin e perandorive fallse mediatike me pronarë si “kapterri” Hysenbelliu, i lidhur e i zgjidhur me një mijë e një fije mafioze, korrupsioni e pisllëku me çdo lloj pushteti që ka qenë në fron… dhe armik real i juaji. Të ndajnë shapin nga sheqeri e të mos vazhdojnë të bashkëjetojnë me të keqen që kanë në mes e rreth tyre.
E pastaj, “pushka-top” ishalla edhe kundër Ramës e veglave të tij qorre si Ardi Veliu me shokë e shoqe.
Ky është qëndrimi im publik ndaj jush… i pandryshuar dhe i panegociueshëm.
Dhe thellë në ndërgjegjen time jam plotësisht i bindur që kam të drejtë… pavarësisht se ju mund të mendoni ndryshe. E vërteta është një dhe nuk ndahet dot më dysh… se ndryshe quhet gjysmake… dhe gjysmakët zakonisht u ngjajnë pikërisht atyre “cyrykëve” që ju thotë Rama./ Adriatik Dosti







