O hoxhë Elvis Naçi, nuk të ka hije
Të përdorësh dy prindër të shokuar nga hataja që u ra mbi kokë!
TIRANË –Reagim i fortë i gazetarit Klodian Tomorri ndaj një videoje të publikuar nga hoxha Elvis Naçi.
Në videon e shpërndarë nga fondacioni i Naçit, shfaqen prindërit e Elvisa dhe Rozina Dhimakut, dy vajzave që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e Sarandë–Delvinë të cilët falënderonin për ndihmën e dhënë për shërimin e djalit të tyre 7-vjeçar.
Por për Tomorrin, ky publikim është i pajustifikueshëm. Ai thekson se përdorimi i dy prindërve të shokuar, që kanë humbur dy fëmijë, për t’i kthyer në lajm apo “breaking news”, është i pahijshëm.
“Kam një lloj simpatie në distancë për Elvis Naçin edhe pse nuk e njoh. Nuk është radikal, më është dukur njeri i lexuar dhe ka bërë një punë të mirë me bamirësitë. Por kjo gjë nuk i ka hije askujt, jo më një hoxhe. Këta dy njerëz kanë pësuar një hata përtej hatase. Si mund t’i nxjerrësh në kamera e t’i përdorësh si ekskluzive? Ata janë aq të shokuar sa nuk dinë ku kanë kokën dhe është kollaj t’u shkelësh dinjitetin,” shkruan Tomorri.
Ai shtoi se ndihma për fëmijën e vogël mund të ishte bërë publike me një njoftim të thjeshtë, pa e kthyer në material publicitar:
“Bravo për ndihmën ndaj djalit, por kjo mund të bëhej thjesht me një njoftim. Ka dinjitet edhe vdekja, or mik. Nuk merren njerëzit ashtu për publicitet, se nuk është aspak e hijshme.”
Reagimi i gazetarit ka hapur debat publik mbi mënyrën se si fondacionet dhe figurat fetare përdorin pamjet e familjarëve të viktimave, në një moment të ndjeshëm tragjedie, për të komunikuar aktivitetet e tyre bamirëse.
Çfarë mendoni ju: A duhet të shfrytëzohen momente kaq të rënda për publikime të tilla, apo ndihma duhet të bëhet pa kamera?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




