Rama rikthen “plehrat” në politikë
2025: Vendi i ankimeve, jo i zgjidhjeve
Miliona euro të zhdukura me inceneratorët, dhjetëra premtime të pambajtura dhe një sistem menaxhimi mbetjesh që nuk funksionon. Kjo është trashëgimia që la pas afera më e madhe e vjedhjes së parave publike në historinë e shtetit shqiptar.
Në vitin 2025, ndërkohë që SPAK vazhdon të hetojë zinxhirin Zoto–Mërtiri dhe ministrat e përfshirë, Edi Rama shfaqet me një strategji të re për riciklimin e mbetjeve: krijimin e një operatori kombëtar dhe një agjencie qendrore që do të marrë përsipër procesin në të gjithë vendin, duke ua hequr bashkive çdo kompetencë.
Ky projekt menaxhimi mbetjesh, i nisur me mashtrim qeveritar për gjoja “emergjencë mjedisore”, rezultoi aferë mes kryeministrit Edi Rama dhe dyshes së famshme Klodian Zoto e Mirel Mërtiri me bazë në kanalet offshore, për të vjedhur miliona Euro nën maskën e përpunimit të mbetjeve, fakt i vërtetuar nga drejtësia.
Kur sajoi landfillet me incineratorë, kryeministri Edi Rama, tha se është projekt më standarde si në vendet e zhvilluara të BE, dhe kërkesë e Këshillit të Europës për çeljen e negociatave; gjë që doli mashtrim, mbasi BE e mohoi dhe kundërshtoi impiantet që çlirojnë helme në mjedis.
Nga inceneratorët tek “paketa e re ligjore”
Kryeministri deklaron se kjo është në përputhje me “rekomandimet e BE-së” sipas Kapitullit 27 të negociatave. Por kujtesa është ende e freskët:
- Elbasan, Fier dhe Tiranë përfituan projekte që kushtuan mbi 430 milionë euro.
- Në Elbasan dhe Fier, inceneratorët nuk punojnë.
- Në Tiranë, objekti as nuk është ndërtuar.
Pra, qindra milionë euro janë zhdukur pa asnjë rezultat, ndërkohë që qytetet mbyten çdo ditë nga plehrat Rama po përpiqet për të fshehur dështimin spektakolar në qeverisje.
Sipas kritikëve, strategjia e re nuk është gjë tjetër veçse një kamuflim për të mbuluar dështimin spektakolar të projekteve korruptive të inceneratorëve. Në vend të transparencës dhe llogaridhënies, ofrohet një tjetër skemë qendrore që rrezikon të kthehet në koncesionin e radhës për oligarkët.
Shqipëria qeveri që riciklon skema, qytetarë që riciklojnë ankesa
Në vitin 2017, Rama shpalli me krenari se me inceneratorët “u zgjidh përfundimisht çështja e plehrave sipas standardeve të BE-së”.
Në vitin 2025, i njëjti kryeministër deklaron se çështja e mbetjeve është “më e vështira dhe më e kushtueshmja”.
Kjo është historia e përsëritur e qeverisjes së tij: premtime të mëdha, dështime spektakolare dhe skema të pafundme për të gllabëruar buxhetin e shtetit.
Shqipëria sot ndodhet mes plehrave jo vetëm urbane, por edhe politike.
Nëse nuk ka zgjidhje reale dhe ndëshkim penal, atëherë çdo “paketë e re ligjore” nuk është gjë tjetër veçse një riciklim i hajnisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



