Skandali i klinikës estetike “International Medicare”
Pjesë e “Sante Plus Group”: evazion fiskal, medikamente të ndaluara dhe “masakrim” pacientësh
Sipas burimeve zyrtare, klinika nuk kishte deklaruar për një periudhë njëvjeçare fitimet prej 1 milion euro, duke kryer evazion fiskal, pastrim parash dhe duke përdorur produkte të ndaluara e të skaduara në shërbimet e saj spitalore.
Pronari turk Bilal Kara
Arrestime dhe kërkime
Në pranga ra administratori i klinikës, Edmond Zaja, 62 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur pronari turk Bilal Kara (45 vjeç) dhe Geriana Arapi (32 vjeç). Aksionerët e tjerë të spitalit ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara (që prej shkurtit 2023), si dhe 6 njësi kompjuterike. Një nga substancat e ndaluara të përdorura ishte Thiopental VUAB, një anestetik i shpejtë intravenoz, që shkakton humbjen e vetëdijes dhe është i ndaluar për përdorim të zakonshëm.

Denoncime të hershme të pacientëve
Prej vitesh, klinikat e “Sante Plus Group” janë akuzuar nga qytetarët për dëmtime të parikuperueshme gjatë ndërhyrjeve estetike. Denoncime të shumta janë publikuar në media, por autoritetet kanë mbyllur sytë deri tani.
- Shtator 2022 – Emisioni “Stop” publikoi rastin e një zonje që, pas një operacioni rimodelimi barku në këtë klinikë, përjetoi komplikacione të rënda. Operacioni u krye me staf jo të kualifikuar dhe pa kujdes bazik mjekësor, duke i shkaktuar asaj dëmtime serioze, rioperime të shumta dhe gjendje depresive për familjen. Madje, gjatë një prej ndërhyrjeve i është hequr edhe kërthiza.
- Maj 2023 – Emisioni “Fiks Fare” publikoi denoncimin e një qytetari nga Tirana, i cili pas një ndërhyrjeje për mbjelljen e flokëve në këtë klinikë, mbeti me parezë të skalpit të kokës. Ai akuzoi drejtuesit për përdorimin e mjekëve të pa licencuar dhe për mungesë totale transparence mbi barnat dhe procedurat e përdorura.

Krime ndaj shëndetit publik
Hetuesit thonë se përveç evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, klinika akuzohet për krime kundër shëndetit publik, duke ekspozuar pacientët ndaj rrezikut për jetën me produkte të ndaluara e të skaduara, si dhe me personel të papërgatitur profesionalisht.
Ky rast pritet të hapë një debat të gjerë mbi kontrollin e klinikave private në Shqipëri, ku prej vitesh akuzat për mashtrime, ndërhyrje të dështuara dhe mungesë të sigurisë shëndetësore janë lënë në harresë nga autoritetet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



