Shkodra zgjohet me plumba, ndërsa shteti hesht
Qyteti është lënë peng i krimit
Naim Noka

Shkodra u zgjua sot në mëngjes me një tjetër masakër në mes të qytetit. Brenda një lokali pranë bashkisë, breshëria e plumbave i mori jetën Armando Palit dhe Liridon Krajës, ndërsa mbetën të plagosur rëndë Erogen Vaso, vëllai i Denis Brajoviç, si dhe 25-vjeçarja Meri Kaceri, kameriere që po ushtronte punën e saj.
Autori i dyshuar i atentatit, Ragip Gila, një emër i njohur për drejtësinë, vetëm dy vite më parë ishte arrestuar për bashkëpunim në krim. Por lirimi i tij e riktheu në rrugë për të vazhduar “punën”, derisa sot gjaku mbushi qendrën e qytetit. Ai u kap nga policia në periferi, pasi tentoi të largohej fillimisht me motor e më pas me makinë.
Një qytet i braktisur në duart e bandave
Masakra e sotme nuk është rast i izoluar: vetëm katër ditë më parë, një tjetër i vrarë. Sot, dy jetë të shkurtra dhe dy të plagosur. Nesër kush?
Shkodra është lënë në mëshirën e bandave, vetëgjyqësisë dhe hakmarrjes, ndërsa shteti është i dorëzuar përballë krimit. Ky realitet i përgjakshëm është dëshmi e një qeverisjeje të dështuar, ku drejtësia është kthyer në farsë dhe qytetarët jetojnë me frikë. Dikur Rama tha për bandat; hëngshin kokat e njëri-tjetrit! Por në fakt ai i përdor sa herë i duhen në fushata per vota pastaj u lë hapësirë të eleminojnë njëri-tjetrin.
Kush mban përgjegjësi?
Ngjarja e sotme është një shuplakë e dhimbshme që tregon se jeta në Shkodër është peng i krimit të organizuar, ndërsa drejtësia është kthyer në karikaturë. Ky realitet nuk mund të normalizohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



