E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetari që mban lirinë e fjalës dhunohet në mes të rrugëve/
Lajme

Gazetari që mban lirinë e fjalës dhunohet në mes të rrugëve/

Armiku nuk është krimineli, por shteti që hesht

VIDEO

Ky që duket në video është Andi Zorba, një mashtrues i njohur, i cili prej vitesh ka gënjyer dhe grabitur qytetarë të pafajshëm, duke u premtuar atyre kontrata futbolli që nuk ekzistonin. Sot ai nuk shfaqet vetëm si mashtrues, por edhe si dhunues, pasi ka goditur gazetarin e emisionit Stop, Andrelin Prifti, i cili e kishte denoncuar publikisht.

Një shtet nuk matet nga numri i ligjeve që ka në letër, por nga mënyra se si i zbaton ato. Kur rrugët mbushen me gangsterë që ecin të lirë, ndërsa qytetarët e ndershëm frikësohen të kërkojnë drejtësi, atëherë kemi të bëjmë jo me një shtet ligjor, por me një karikaturë të tij.

Historia e Andi Zorbës është shembulli më i qartë i kësaj karikature. Një mashtrues që për vite të tëra ka shfrytëzuar ëndrrat e qytetarëve, duke u shitur iluzionin e një të ardhmeje sportive. Ai u paraqit si menaxher dhe njeri me lidhje dhe kontrata të shtrenjta, por në të vërtetë ishte thjesht një tregtar gënjeshtrash, i cili kërkonte para për të ushqyer mashtrimin e radhës.

Gazetari Andrelin Prifti, i armatosur vetëm me zërin dhe kamerën e tij, e ekspozoi këtë farsë. Ai tregoi se pas premtimeve të mëdha fshihej një mashtrues i thjeshtë dhe i rrezikshëm. Por ndërsa gazetari kryen detyrën e tij për të zbuluar të vërtetën, shteti nuk bëri asgjë.

Në vend që Andi Zorba të procedohej, të izolohej dhe të mbante përgjegjësi për dhjetëra viktima të mashtrimit, ai vijon të ecë i lirë në rrugë. Më keq akoma, ai guxoi të dhunojë gazetarin që e ekspozoi. Një grusht mbi fytyrën e gazetarit nuk është thjesht dhunë fizike – është një shuplakë mbi shoqërinë, mbi lirinë e fjalës dhe mbi çdo qytetar që beson ende tek drejtësia.

Por çfarë bën shteti? Hesht. Policët bëhen të verbër, prokurorët shfaqen të shurdhët dhe gjykatat duken të palëvizshme. Është sikur dhuna ndaj gazetarit kurrë nuk ka ndodhur. Sikur mashtrimet e dhjetëra qytetarëve të mos ekzistojnë. Në këtë mënyrë, shteti vetë bëhet ortak me krimin, duke i dhënë gangsterëve një mesazh të qartë: mashtroni, dhunoni, kërcëno, askush nuk do t’ju prekë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.