GJKKO dënon me 8 vite burg mikun e Aldo Bares, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj Emiljan Sofo Burbës, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Procesi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela, shpalli vendimin më 24 shtator 2025.
Fillimisht, Burba u dënua me 12 vite burg për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe me 3 vite burg për akuzën “Grup i strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve, atij iu caktua një dënim i vetëm prej 12 vitesh heqje lirie.
Por, duke përfituar uljen me një të tretën e dënimit sipas gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi gjithashtu që sendet e sekuestruara të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor, ndërsa shpenzimet proceduriale dhe gjyqësore do të përballohen nga i dënuari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



