Rama ‘i vë vulën’ Veliajt, çfarë pritet të ndodhë sot në mesditë
Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot në orën 12:00 një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, ku në rend dite është parashikuar të diskutohet dhe të merret vendimi përfundimtar për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas legjislacionit në fuqi, pas votës së Këshillit Bashkiak, është pikërisht qeveria që ka fjalën e fundit për përfundimin e mandatit të një kryebashkiaku. Vendimi përfundimtar pritet të formalizohet në mbledhjen e sotme, me miratimin zyrtar nga ministrat.
Të martën, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me shumicë dërrmuese, 50 vota pro, për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra, në një akt të paprecedentë ku për herë të parë pas shumë kohësh, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej datës 11 shkurt 2025, pas hetimeve të thelluara nga SPAK në kuadër të dosjes që tashmë mban emrin e tij. Ai përballet me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Dosja penale është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndërsa çështja ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit gjyqësor. Përveç Veliajt, nën hetim dhe me masa sigurie janë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa biznesmenë të njohur: Gentian Sula, Elman Abule, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu – të gjithë të vendosur në detyrim paraqitjeje.
Me vendimin e pritshëm të qeverisë, mandati i Veliajt pritet të përfundojë zyrtarisht, duke i hapur rrugë një faze të re për drejtimin e kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



