A e ndoqi ‘live’ nga qelia ‘fundin’ e tij politik Erion Veliaj?
Këshilli Bashkiak i Tiranës, pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, miratoi propozimin për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt, një vendim që pritet të marrë miratimin përfundimtar në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë që ende nuk është caktuar zyrtarisht data e zgjedhjeve të reja, kryeministri Rama duket se ka nisur tashmë fushatën elektorale, duke zhvilluar një seri takimesh. Gjatë drekës, ai u takua në Kryeministri me nënkryetarët e Bashkisë dhe me kandidaten për deputete, Ogerta Manastirliu, ndërsa pasditen zhvilloi një takim në selinë e Partisë Socialiste, ku mblodhi ministrat, deputetët dhe ish-deputetët e Tiranës. Fjalën e tij e transmetoi drejtpërdrejt për mediat.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se “u detyrua të marrë një hap të debatueshëm në raport me Erion Veliajn, por një hap të detyrueshëm për fatin e kryeqytetit të Shqipërisë”.
Një moment interesant gjatë transmetimit “live” të Ramës në rrjetet sociale, sipas asaj çka raporton boldnews, ishte fakti që profili në Facebook i Erion Veliajt po ndiqte gjithashtu transmetimin. Nuk dihet nëse ky ndjekje erdhi nga vetë kryebashkiaku, i cili ndodhet në arrest me burg dhe ndoshta ka akses në telefon për të ndjekur aktivitetet e tij, apo nëse dikush tjetër menaxhon rrjetet sociale në emër të tij gjatë kësaj periudhe.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



