Si i shkeli Adriatik Lapaj negociatat me PD-në për Bashkinë Tiranë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Në një moment kritik për përpjekjet opozitare për bashkimin rreth një kandidature të përbashkët në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, Adriatik Lapaj, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka vendosur të ndërpresë çdo mundësi koordinimi me Partinë Demokratike dhe partinë “Mundësia”, duke shpallur publikisht mbështetjen për kandidaturën e Florjan Binajt.

Ky vendim shkel hapur negociatat në zhvillim me PD-në, të cilat prej javësh kishin hyrë në një fazë teknike dhe politike, me qëllimin për të arritur një marrëveshje për një kandidat të vetëm, jo-partiak, që do të përfaqësonte gjithë spektrin opozitar në betejën e 9 nëntorit. Në këtë proces, Lapaj kishte qenë pjesë e tryezave të diskutimit dhe pritej që lëvizja e tij të kontribuonte në gjetjen e konsensusit.

Megjithatë, përmes një postimi publik, Lapaj zgjodhi të lë mënjanë këtë proces të përbashkët dhe të shpallë mbështetjen për Binajn – një kandidaturë jashtë koordinimit opozitar, duke e justifikuar vendimin si shprehje të vullnetit të lirë dhe mbështetje për qytetarin ndaj partisë.

“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshme duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike.

Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje.

Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj.

Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë.”

Lapaj kishte hyrë në diskutime me Partinë Demokratike dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilët e kishin mirëpritur si një figurë të re dhe me potencial për të ndërtuar një front të bashkuar. Madje, PD-ja kishte pranuar të zhvillonte negociata mbi një marrëveshje parimore të iniciuar nga nisma “Mundësia”, që synonte pikërisht përzgjedhjen e një kandidati të pavarur për Tiranën, për të shmangur fragmentimin e votës.

Me këtë lëvizje të njëanshme, Lapaj jo vetëm ka dalë nga kjo kornizë e bashkëpunimit, por ka dobësuar realisht mundësinë e krijimit të një fronti të vetëm opozitar në Tiranë. Ndërkohë, edhe vetë Florjan Binaj, i mbështetur tani nga “Shqipëria Bëhet”, ishte një ndër bashkëthemeluesit e kësaj lëvizjeje, nga e cila u distancua publikisht disa muaj më parë. Me gjasë, kjo mbështetje është edhe një formë rikthimi politik të koordinuar, që u shfaq për herë të parë bashkërisht në emisionin “Opinion” me Edlira Çepanin.

Pas Arlind Qorit dhe “Lëvizjes Bashkë”, edhe Adriatik Lapaj renditet mes atyre që nuk pranuan të bëhen pjesë e një kandidature të përbashkët opozitare, duke shtuar më tej përçarjen në kampin kundër qeverisë në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit.

Publikuar nga Publik Media