Banorët e Rrugës së Arbrit në luftë me IKMT-në
Forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë ndërhyrë në segmentin e Rrugës së Arbrit, nga tuneli i Murrizit deri në afërsi të Qafë-Buallit, për të prishur disa baraka që banorët kishin ngritur pranë rrugës. Këto baraka ishin ndërtuar në pronat private të banorëve, që synonin të shisnin produkte bujqësore dhe të siguronin të ardhura për familjet e tyre.
Banorët janë të revoltuar ndaj aksionit të IKMT-së, duke argumentuar se barakat ndodhen vetëm rreth 20 metra larg rrugës dhe sipas tyre, nuk po shkelin ligjin.
“Kemi kërkuar në bashkinë e Klosit të na pajisin me dokumentacion, por nuk kanë pranuar. U gëzuam kur u ndërtua rruga, menduam se do sillte zhvillim, por me këtë që po na bëjnë, më mirë të mos ishte ndërtuar fare. Jemi zhytur në borxhe për të ndërtuar këto baraka, dhe tani na vendosin edhe gjoba. Mua më kanë gjobitur me një milion e gjysmë lekë. Jemi të detyruar të largohemi, se s’kemi më nga të jetojmë,” tregon një banor i Xibrit.
Banorët shtojnë se ndërtimet janë bërë në territorin e Bashkisë Klos dhe se, përpara zgjedhjeve lokale, kanë marrë leje të ndërtojnë me premtimin se nuk do të prekesin. Ata kërkojnë nga autoritetet një zgjidhje, për të mos humbur të vetmin burim të jetesës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



