Pezullimi i zgjedhjeve, Erion Veliaj mbetet kryebashkiak i Tiranës
Juristi Ylli Manjani ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të 9 nëntorit për Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se me këtë zhvillim, Erion Veliaj mbetet ende në detyrë si kryetar i Bashkisë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Manjani tha se pezullimi automatikisht ndalon çdo përgatitje administrative për zgjedhjet dhe rikthen në fuqi status quo-në ligjore.
“Po, është ende kryetar Erion Veliaj, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë përfundimisht nëse vendimi për shkarkimin e tij është i vlefshëm ose jo. Me këtë pezullim, procesi i përgatitjes për zgjedhjet është ngrirë,” – u shpreh Manjani.
Ai sqaroi se nëse Gjykata Kushtetuese vendos se shkarkimi ishte i drejtë, atëherë Presidenti do të duhet të caktojë një datë të re për zgjedhjet. Por në ndërkohë, institucionet janë të pezulluara nga çdo veprim i mëtejshëm.
“Kushtetuta është e qartë – pezullimi i zgjedhjeve do të thotë që nuk mund të vazhdohet me përgatitjet. Procesi i gjykimit është tashmë i çliruar nga çdo presion kohor apo elektoral,” – theksoi Manjani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



