Qori në ‘qiellin e 7-të’: Po e fitova Bashkinë e Tiranës, bie qeveria
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të dekretuara më 9 nëntor për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se çdo përpjekje për të zhvilluar votime në atë datë do të ishte një “tallje me drejtësinë” dhe një “atentat ndaj rendit kushtetues”.
Sipas Qorit, pavarësisht vendimit të pezullimit, Lëvizja Bashkë do të vijojë përgatitjet për zgjedhje, në rast se qeveria dhe KQZ vendosin të mos e respektojnë vendimin e Kushtetueses.
“Nëse Rama dhe Celibashi vendosin të ecin përpara dhe të zhvillojnë zgjedhje më 9 nëntor, kjo do të ishte një skenë qesharake dhe e rrezikshme për rendin kushtetues. Megjithatë, ne do të jemi gati për çdo skenar – nuk mund të tërhiqemi nga gara”, tha Qori.
Ai kritikoi edhe vendimin e Presidentit për dekretimin e zgjedhjeve në mënyrë të përshpejtuar, duke e konsideruar një gabim të rëndë institucional.
Në lidhje me pjesëmarrjen në fushatë, Qori u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e gatishmërisë për debat nga kandidatët e tjerë, duke i ftuar publikisht të përballen në një debat të hapur televiziv.
“Fatkeqësisht, partitë e vjetra fshehin kandidatët dhe dalin me zëdhënës. Pas 25 vitesh, qytetarët meritojnë një debat serioz për të zgjedhur me mendje, jo me emocione”, deklaroi ai.
Qori bëri dallimin e qartë mes kandidaturës së tij dhe asaj të Florjan Binajt, duke theksuar se ky i fundit është kandidaturë e drejtpërdrejtë e Sali Berishës dhe partive që dikur deklaroheshin si kundër sistemit, por sot mbështesin kandidatët e së shkuarës.
“Nëse dikush voton Binajn, realisht po voton Berishën. E njëjta gjë si me Manastirliun dhe Ramën. Nëse votoni mua, merrni mua. Sepse nuk kam kë tjetër pas. Ne nuk kemi asnjë lidhje me sistemin e vjetër apo me oligarkinë që ai përfaqëson”, tha Qori.
Ai shtoi se një fitore e tij në Tiranë do të kishte ndikim shumë më të thellë sesa thjesht një rotacion lokal:
“Manastirliu është kandidate e Ramës, nëse e votojnë e dinë të gjithë që do të jetë Rama kryetar bashkie. Binaj është kandidat i Berishës dhe koalicionit të tyre, disa parti që kanë dalë nga gjiri i PD dhe po kthehen në mënyrë të kamufluar. Partitë e reja kanë tradhtuar edhe votuesit, sepse kanë thënë jemi kundër sistemit. Sot mbështesin kandidatin e Berishës për Bashkinë e Tiranës. Nëse qytetarët votojnë Binajn, marrin Berishën në krye të Bashkisë. Nëse më votojnë mua, do të marrin mua, sepse nuk kanë kë marrin tjetër. Në nuk na bashkon asgjë me partitë e vjetra të sistemit.
Jemi kundër oligarkisë ekonomike. Nuk bëj dot fushatë me Berishën dhe unë të denoncoj kullat dhe Berisha të thotë nuk ka oligarkë dhe janë fakirë. Distanca jonë me partitë e tjera është e plotë. Kurdo qofshin zgjedhjet e Tiranës, ne do të dalim dhe do të kërkojmë vota.
Nëse më votojnë mua për kryetar bashkie, bie qeveria, është tronditje shumë e madhe e sistemit. Nëse do të na mbështesin, efektet nuk do të jenë vetëm administrative, por do të nisë një transformim i shpejtë i Shqipërisë”, tha ndër të tjera Qori.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



