Ilir Alimehmeti merr drejtimin e PD-së në Tiranë
Partia Demokratike ka bërë ndryshime të rëndësishme në strukturat e saj, duke zëvendësuar Belind Këlliçin nga posti i koordinatorit politik dhe drejtuesit të qarkut të Tiranës. Burime brenda selisë blu konfirmojnë për Publik.al se në vend të tij është emëruar doktor Ilir Alimehmeti, një nga figurat më të njohura të opozitës në kryeqytet.
Vendimi është marrë personalisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka kërkuar “një frymë të re dhe më përfaqësuese për qytetin e Tiranës”, pas një sërë rezultatesh të dobëta të PD-së në zgjedhjet e fundit nën drejtimin e Këlliçit.
Menjëherë pas emërimit, Alimehmeti ka zhvilluar një seri takimesh me 14 kryetarët e degëve të PD-së në Tiranë dhe me përfaqësuesit e aleatëve opozitarë. Burime pranë grupit të tij konfirmojnë se fokusi i parë është ristrukturimi i organizatave bazë dhe përgatitja për zgjedhjet e pjesshme që pritet të zhvillohen në kryeqytet.
Në deklaratat e para, doktori i njohur ka theksuar se “Partia Demokratike duhet të rikthejë besimin tek qytetarët përmes punës në terren, transparencës dhe hapjes ndaj shoqërisë”.
Emërimi i Alimehmetit shihet si një sinjal i qartë riorganizimi dhe rinovimi në kampin blu. Ai konsiderohet një figurë e moderuar, me mbështetje të gjerë në bazë, sidomos pas rezultatit të arritur në zgjedhjet e 11 majit, ku mori rreth 20 mijë vota në Tiranë si kandidat i opozitës.
Ndërkohë, Belind Këlliçi një nga emrat më aktivë të brezit të ri të PD-së, nuk ka reaguar ende publikisht për vendimin e Berishës.
Në një mbledhje të mbyllur me drejtuesit e degëve, Berisha ka theksuar nevojën për “energji të reja dhe figura të besueshme që përfaqësojnë qytetin dhe idealin opozitar”.
Ky ndryshim pritet të hapë një fazë të re për Partinë Demokratike në kryeqytet, e cila po përpiqet të rikuperojë terrenin e humbur në bazë dhe të krijojë një strukturë më funksionale përballë zgjedhjeve që po afrojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



