Si shkojnë tenderat e Krujës tek firma e dy të arrestuarve për drogë
DOKUMENTET
Në prill të vitit 2015, emri i kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, u përfol gjerësisht në opinionin publik pas një operacioni të policisë italiane, ku përkonte me një person të ndaluar dhe nën hetim. Megjithatë, pavarësisht jehonës mediatike të kohës dhe thirrjeve për verifikim, asnjë institucion në Shqipëri nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar ose përfundim ligjor për këtë çështje.
Ndërkohë, Bushi ka vijuar për vite me radhë drejtimin e bashkisë, duke marrë pjesë aktivisht në procedura tenderuese, edhe pse është përballur me kallëzime të herëpashershme. Rasti i një ekskavatori, një tender për ujësjellësin apo shpërndarja e banesave për familjet e prekura nga tërmeti janë vetëm disa nga episodet që kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike.
Në asnjë rast nuk është marrë masë ndaj tij, ndërkohë që të dhënat tregojnë për një model të përsëritur të ndarjes së fondeve publike brenda një rrethi të ngushtë përfituesish. Nga analiza e tenderëve për pastrimin e qytetit gjatë viteve të fundit, vihet re se kontratat përfundojnë vazhdimisht në duart e së njëjtës kompani, e cila rezulton të jetë themeluar nga individë me precedentë penalë për trafik droge.
I gjithë ky zinxhir përfitimesh dhe lidhjesh të dyshimta thekson një ironi të rëndë: vetë drejtuesi i bashkisë është akuzuar në të kaluarën për përfshirje në trafikun e drogës, akuza që, ndonëse të hedhura nga kundërshtarët politikë, mbeten ende pa përgjigje nga drejtësia.
Tenderi i vitit 2025 për pastrimin, fituar nga kompania Rinia 96
Gjatë këtij viti, Bashkia e Krujës ka finalizuar një tjetër procedurë tenderimi për shërbimin e pastrimit dhe largimit të mbetjeve urbane në qytetin e Fushë-Krujës. Procedura parashikonte një fond limit prej 23.5 milionë lekësh me TVSH, ndërsa si fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “RINIA 96” dhe “2 N”.
Kompania “RINIA 96” nuk është emër i panjohur në këtë bashki. Përkundrazi, ajo rezulton të ketë fituar në mënyrë të përsëritur tenderët e pastrimit në këtë zonë. Sipas të dhënave të siguruara, aktiviteti i saj nuk ka qenë i kufizuar vetëm në mbledhjen e mbetjeve, por edhe në depozitimin e tyre pa ndonjë kontroll real — në disa raste, thuhet se mbeturinat janë hedhur në mënyrë të pakontrolluar pranë një liqeni në fshatin Halil, duke ngritur shqetësime serioze për ndotje mjedisore.
Kthimi i të njëjtave kompani në tenderë të njëjtë, me shuma të konsiderueshme dhe pa konkurrencë reale, rikthen dyshimet për skema të favorizimit dhe klientelizëm në administrimin lokal të fondeve publike.
Tenderi i vitit 2023, i fituar gjithashtu nga Rinia 96

Një vështrim mbi tenderët e viteve të kaluara në Bashkinë e Krujës zbulon një model të përsëritur fituesish. Kompania “Rinia 96”, e njëjta që fitoi kontratën e pastrimit për vitin aktual, rezulton të ketë siguruar edhe tenderin për të njëjtin shërbim në vitin 2023.
Procedura e zhvilluar në korrik të vitit 2023 kishte një vlerë prej 18.5 milionë lekësh, ndërsa gara u mbyll me vetëm një ofertues: “Rinia 96” sh.p.k, me seli në Fushë-Krujë dhe administratore znj. Etleva Miri. Oferta e paraqitur nga kjo kompani ishte 18.404.753 lekë pa TVSH, pra thuajse identike me fondin limit të parashikuar nga bashkia, një element që ngre pikëpyetje serioze mbi konkurrencën dhe transparencën e procesit.
Mungesa e konkurrencës, ofertat pranë kufirit maksimal të lejuar dhe përsëritja e të njëjtit përfitues në tenderë të rëndësishëm publikë lënë të kuptohet se kemi të bëjmë me një situatë që i ngjan më shumë një marrëveshjeje të mbyllur sesa një gare të hapur.
Tenderi i vitit 2020, ku fitues doli sërish kompania Rinia 96

Nëse kthehemi pas në kohë, skema duket edhe më e qartë. Në maj të vitit 2020, Bashkia e Krujës shpalli fituesin e një tjetër tenderi për pastrimin dhe depozitimin e mbetjeve urbane në Fushë-Krujë, me një fond limit prej 16.6 milionë lekësh.
Edhe në këtë rast, kontrata përfundoi në duart e “Rinia 96”, duke e forcuar më tej pozicionin monopol të kësaj kompanie në sektorin e pastrimit. Ajo që bie në sy nga dokumentacioni është fakti se në garë morën pjesë dy kompani, por pavarësisht se “Rinia 96” paraqiti ofertën më të lartë, ajo u shpall fituese e procedurës.
Ky fakt ngrit pyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes dhe integritetin e procesit të vlerësimit të ofertave. Si është e mundur që një ofertë më e kushtueshme të zgjidhet fituese, kur vetë logjika e tenderimit është që shërbimi të përfitohet me cilësinë më të mirë dhe koston më të ulët për buxhetin publik?
Një përgjigje për këtë vendimmarrje nuk është dhënë asnjëherë, ndërsa skema e tenderëve të përsëritur me fitues të paracaktuar duket se është kthyer në normë.
Dhurimi i aksioneve nga Shkëlqim Miri dhe Bledar Coraj

Pas emrit të “Rinia 96”, kompanisë që prej vitesh monopolizon tenderët e pastrimit në Fushë-Krujë, qëndrojnë dy individë me të kaluar problematike. Shkëlqim Miri dhe Bledar Coraj, dy themeluesit e kësaj firme, rezultojnë të jenë arrestuar në vitin 2017 në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik ndërkombëtar droge.
Operacioni në fjalë u zhvillua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila në fillim të atij viti informoi publikun mbi ndalimin e tyre, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që po hetohej për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve serioze, kompania që ata themeluan ka vijuar të përfitojë fonde publike përmes tenderëve të përsëritur në një nga bashkitë më të mëdha të vendit, duke ngritur pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi filtrat ligjorë të procedurave, por edhe mbi përgjegjësinë e zyrtarëve lokalë që miratojnë këto kontrata.
Shkëlqim Miri dhe Bledar Coraj u kapën së bashku me pesë persona të tjerë, pjesë e një rrjeti kriminal të organizuar që merrej me shpërndarjen e sasisë masive të hashashit, duke e trafikuar nga zona e Krujës drejt kryeqytetit. Në kuadër të operacionit u sekuestruan rreth 425 kilogramë hashash, ndërsa gjatë kontrollit në ambientet e tyre u gjet edhe një arsenal i konsiderueshëm armësh, që rritte ndjeshëm nivelin e rrezikshmërisë së grupit.
Kjo operacion nxori në dritë një skemë të mirëorganizuara të trafikut të drogës, ku emrat e dy themeluesve të “Rinia 96” u bënë pjesë e hetimeve dhe u vunë nën akuzë për përfshirje në krim të organizuar.

Pas arrestimeve në janar 2017, pronësia dhe kontrolli i aksioneve të firmës kaluan në duart e Kujtim Mirit, vëllait të Shkëlqim Mirit. Pak muaj më vonë, Kujtimi ia transferoi aksionet Etleva Mirit, bashkëshortes së Shkëlqim Mirit. Që atëherë, kompania “Rinia 96” ka dominuar tenderat e pastrimit në Fushë Krujë, duke siguruar kontrata të përsëritura pa konkurencë të fortë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



