Abuzimet me pronat bregdetare në Lezhë nën hundën e institucioneve
Skandalet me pronat publike në bregdetin e Lezhës nuk kanë të ndalur. Zona turistike e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin është kthyer prej vitesh në një arenë abuzimesh, ku lejet e ndërtimit, falsifikimi i dokumenteve dhe lidhjet politike kanë ndihmuar në tjetërsimin e qindra mijëra metrave katrorë tokë publike me vlerë miliona euro.
Prokuroria e Lezhës ka ekzekutuar së fundmi arrestimin e biznesmenit Pjetër Tuçi, duke goditur një tjetër skemë grabitjeje pronash në vijën e parë të detit. Sipas hetimeve, kompleksi i ngritur prej tij dyshohet se është ndërtuar pa leje, mbi një truall të përfituar në mënyrë të paligjshme, me mbështetjen e ish-zyrtarëve të Kadastrës, IKMT-së dhe Policisë. Për disa prej tyre janë caktuar masa sigurie.
▪️ Rrënjët e abuzimit precedenti i vitit 2017
Rasti i parë i dokumentuar i tjetërsimit masiv në “Ranën e Hedhun” daton në vitin 2017, kur u zbuluan falsifikime për 25 mijë m² tokë, e regjistruar si “tokë ranishte” për t’u futur në ndarjen sipas ligjit 7501.
Në qendër të skandalit u gjend ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, i cili së bashku me 22 persona të tjerë u dënua për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
▪️ Afera e vitit 2019 — 66 mijë m², 13 milionë euro
Vetëm dy vite më pas, një tjetër skemë korruptive preku 66 mijë m² në bregdet, me vlerë mbi 13 milionë euro.
Edhe në këtë skandal, Frrokaj rezultoi i përfshirë sërish në këtë model grabitjeje aseti publik, duke treguar se rrjeti i interesave ishte i strukturuar dhe i përsëritur.
▪️ Dosja 339/B politika fut duart në bregdet
Në vitin 2021, tjetërsimit të pronave në Lezhë i shtohet një kapitull i ri: rreth 300 mijë m² tokë përvetësuar në mënyrë të paligjshme.
Përfituesit kishin lidhje direkte politike në listë u përfshinë edhe familjarë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, duke e kthyer bregdetin e Lezhës në territor të oligarkisë së pushtetit.
Skema e Kune–Vainit ndërtimet luksoze në zonë të mbrojtur
Hetimet më të fundit të Prokurorisë po fokusohen në ndarjen e paligjshme të tokave në Parkun Natyror Kune–Vain, ku ish-zyrtarë lokalë dyshohet se kanë legalizuar ndërtime pa leje dhe kanë mundësuar ngritjen e komplekseve luksoze me vlerë të lartë tregu.
Institucionet kanë parë, por nuk kanë vepruar
Pavarësisht vendimeve gjyqësore, masave të sigurisë dhe denoncimeve të shumta, tjetërsimi i tokave në bregdetin e Lezhës ka vijuar pa frikë dhe me të njëjtin skenar:
pushtetarë lokalë, zyrtarë të kadastrës, policisë dhe biznesmenë të lidhur me politikën të gjithë në kurriz të pasurisë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



