E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë ndodh me zgjedhjet në Tiranë pas vendimit të Kushtetueses?
Lajme

Çfarë ndodh me zgjedhjet në Tiranë pas vendimit të Kushtetueses?

E ardhmja politike e Tiranës është zhvendosur nga kutitë e votimit në sallën e Gjykatës Kushtetuese. Brenda disa javësh, gjyqtarët më të lartë të vendit do të vendosin nëse kryeqyteti do të drejtohet nga një kryebashkiak që ndodhet pas hekurave, apo nëse qytetarët do të thirren sërish për të votuar mes Ogerta Manastirliut, Florian Binajt dhe Arlind Qorit.

Pas një seance maratonë që zgjati mbi shtatë orë, ku u ballafaquan argumentet e qeverisë, presidencës dhe avokatëve të Erion Veliajt, Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë brenda 30 ditëve vendimin përfundimtar, siç parashikohet në ligj. Burime pranë institucioneve gjyqësore bëjnë me dije se vendimi mund të komunikohet në fillim të javës së ardhshme, për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje.

Në seancë, Veliaj kërkoi shfuqizimin e dekretit presidencial që parashikonte zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë më 9 nëntor, duke e konsideruar atë të paligjshëm. Ai pretendon se vendimi për shkarkimin e tij nuk ka hyrë ende në fuqi dhe për rrjedhojë, zgjedhjet nuk mund të mbahen.

Gjykata Kushtetuese, sipas të gjitha gjasave, ka përpara tre skenarë të mundshëm:

  1. Rrëzimin e kërkesës së Veliajt, çka do të hapte rrugën për zgjedhje të reja në Tiranë;

  2. Pranimin e plotë të kërkesës, që do të nënkuptonte rikthimin e tij në detyrë — edhe pse aktualisht ndodhet në burg;

  3. Pranimin e pjesshëm, një variant që juristët e shohin si pak të mundshëm, pasi kërkesat e Veliajt janë të ndërvarura ligjërisht.

Nëse gjyqtarët zgjedhin opsionin e dytë, zgjedhjet e shpallura nga Presidenti Bajram Begaj do të anulohen. Por në rast se Kushtetuesja vendos kundër Veliajt, atëherë në Tiranë do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme — megjithatë jo në 9 nëntor, pasi afatet ligjore tashmë janë tejkaluar.

Në këtë rast, pritet që vetë Gjykata të përcaktojë kohën e re të votimit, duke respektuar afatin minimal 30-ditor dhe maksimal 45-ditor të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Kjo do të thotë se periudha më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve do të ishte mesi i dhjetorit, ndërsa skaji i fundit ligjor mund të shkojë deri më 14 janar.

Për momentin, gjithçka mbetet pezull. Kryeqyteti është në pritje të një vendimi që do të përcaktojë jo vetëm drejtimin e Bashkisë së Tiranës, por edhe ekuilibrat politikë në skenën kombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.