Tuneli që ‘ha koka’, 5 vartësit e Ballukut bien në rrjetën e SPAK
Zbardhen emrat e zyrtarëve
Pas zëvendëskryeministres Belinda Balluku, SPAK ka vendosur të marrë të pandehur edhe pesë vartësit e saj në lidhje me projektin e tunelit të Llogarasë.
Mes të pandehurve janë: Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH-së, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim; Gentian Gjyli, kreu aktual i ARRSH-së; Erald Elezi, drejtor i KESH-it; si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.
Hetimi përfshin projektin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, një pjesë kyçe e rrugës Orikum-Himarë, që është seksioni i autostradës Vlorë-Sarandë. Tenderi fillimisht u shpall më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej rreth 190 milionë eurosh pa TVSH.
SPAK ka akuzuar Ballukun se, në cilësinë e ministres, ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në procesin e prokurimit, duke i dhënë kështu një përparësi të paarsyeshme disa ofertuesve. Për këtë arsye, më 21 tetor 2025, ajo mori njoftimin zyrtar për akuzën. Ministrja ka kërkuar shtyrje të paraqitjes, ndërsa prokuroria e ka caktuar për tu paraqitur më 31 tetor, në orën 15:00, për të dhënë shpjegimet e saj.
Në fazën e hetimeve paraprake, SPAK saktëson se akuzat ndaj Ballukut lidhen me veprimet e saj gjatë udhëheqjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në njërën nga procedurat e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Megjithatë, hetimi duket se mund të zgjerohet edhe për tenderë të tjerë që kanë përfshirë ministrinë nën drejtimin e saj.
Ky zhvillim përforcon presionin mbi ministren dhe vartësit e saj, ndërsa hetimet e SPAK-ut për projektet e mëdha infrastrukturore vazhdojnë me intensitet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



