VIDEO/ Shpërthen festa në burgun e Durrësit për Erion Veliajn
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rikthen Erion Veliajn në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështetësit e tij kanë reaguar menjëherë me festime.
Grupi i përkrahësve është mbledhur pranë ambienteve të paraburgimit të Durrësit, ku Veliaj ndodhet prej muajit shkurt, duke shfaqur entuziazmin e tyre me brohoritje dhe fishekzjarrë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i shpallur pas një seance që përfundoi rreth orës 17:30, rrëzoi kërkesën e Këshillit të Ministrave dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në kryeqytet. Me pesë vota pro dhe tre kundër, trupa gjyqësore e konsideroi të pavlefshëm shkarkimin e Veliajt dhe vendosi që ai të vijojë ushtrimin e detyrës.
Kundër rikthimit të tij në detyrë votuan kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, dhe anëtarët Sonila Bejtja e Gent Ibrahimi. Ndërkohë, në favor u shprehën pesë anëtarë: Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Megjithëse ndodhet ende në paraburgim për shkak të hetimeve të SPAK, vendimi i sotëm e rikthen zyrtarisht Veliajn në postin e kryebashkiakut të Tiranës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se Këshilli Bashkiak mund të nisë një proces të ri për shkarkimin e Veliajt, por vetëm në rast se qeveria arrin të provojë shkelje të rënda ligjore. Në të kundërt, zgjedhje të reja për Bashkinë e Tiranës mund të zhvillohen vetëm nëse ai dënohet me vendim përfundimtar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



