Zjarrit në azilin e të moshuarve në Bosnje, 13 humbje jete
Një tjetër person humbi jetën të enjten në mbrëmje si pasojë e zjarrit që më 4 nëntor kaploi shtëpinë e pleqve në Tuzlla, duke çuar numrin e të vdekurve në 13. Lajmi u bë i ditur nga Qendra Klinike e Tuzllës më 7 nëntor.
Sipas rezultateve preliminare të autopsive, 11 viktima humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni. Prokuroria e Kantonit të Tuzllës njoftoi se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe raportet do t’i dorëzohen Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme për analizë të mëtejshme. “Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve,” deklaroi prokuroria.
Si pasojë e tragjedisë, në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie, ndërsa drejtori i shtëpisë së pleqve, Mirsad Bakalloviç, dha dorëheqjen më 5 nëntor. Institucioni financohet nga të ardhurat e tij dhe nuk merr fonde nga buxheti i qytetit apo i shtetit. Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës dhe emëron menaxhmentin, por nuk siguron subvencione.
Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmë për kujdesin e të mbijetuarve dhe për personat e vendosur në shtëpinë e pleqve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka nxitur hetime të thelluara për shkaqet dhe përgjegjësitë që çuan në këtë tragjedi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



