Shqiptari ul automatin dhe grabit 1 mln euro bizhuteri në Spanjë
Policia Kombëtare e Spanjës ka arrestuar një 33-vjeçar shqiptar në Madrid, i dyshuar për grabitjen spektakolare të 2,200 bizhuterive me vlerë mbi një milion euro, kryer më 28 prill gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike në qendrën tregtare ‘Plaza Norte 2’, në San Sebastián de los Reyes.
Sipas mediave spanjolle, hajduti shfrytëzoi ndërprerjen e energjisë, që bëri të padobishme sistemin elektronik të sigurisë në dyqanin e bizhuterive “José Luis”, duke ekzekutuar një grabitje të planifikuar me kujdes dhe “kirurgjikalisht”.
Ai hyri përmes çatisë së qendrës tregtare dhe bëri prerje të betonit mbi dyqan. Prej andej, hoqi panelet e gipsit dhe përdori një shteg shërbimi që lidhte dyqane të ndryshme. Pasi krijoi disa vrima, arriti të hynte në dhomën e pasme të dyqanit, ku qëndroi i fshehur deri në momentin e ndërprerjes së energjisë. I armatosur vetëm me një kaçavidë, ai hapi vitrinat një nga një pa i thyer dhe mori gjithçka, duke përfshirë bizhuteri ari të bardhë dhe diamantesh.
Hetimet fillestare identifikuan automjetin që përdori për të arritur në qendër dhe që e braktisi një ditë pas grabitjes. Hetimi zbuloi gjithashtu se i dyshuari lëvizte shpesh brenda dhe jashtë Spanjës, duke përdorur identitete të ndryshme për të shmangur zbulimin.
Më 22 tetor, ai u gjet përsëri në Spanjë dhe u arrestua për vjedhje. Në kohën e arrestimit, mbante gati 3,000 euro para të gatshme, origjinën e të cilave nuk mund ta shpjegonte, dhe një nga bizhuteritë e vjedhura ishte rreth qafës së tij si trofe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



