Turp kombëtar, mbetjet shqiptare përfundojnë në Dubrovnik
Ndërsa në Shqipëri ende ka shumë njerëz që nuk tronditen nga fakti se plehrat e vendit përfundojnë në det, situata tashmë ka dalë jashtë kufijve. Lumenjtë e mbushur me mbetje, ujërat e zeza që derdhen pa asnjë trajtim drejt plazheve dhe grumbujt e plastikës që pushtojnë brigjet, të gjitha këto realitete të hidhura, të cilat shpesh injorohen nga institucionet dhe mediat lokale, kanë mbërritur deri në Dubrovnik.
Mediat më të mëdha botërore po ngrenë alarmin: mbetjet që vijnë nga Shqipëria po ndotin edhe një prej destinacioneve më të famshme të turizmit në botë. Një goditje e rëndë për imazhin e vendit dhe një paralajmërim i fortë se kriza mjedisore nuk është më një problem i brendshëm.
Një realitet që politika dhe institucionet vazhdojnë ta mohojnë
Është e turpshme, por ende jo vonë për të pranuar se Shqipëria ndodhet në një gjendje katastrofike sa i përket menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza. Kjo nuk është thjesht çështje estetike – është çështje ekzistence për të ardhmen e vendit. Turizmi nuk mund të mbahet mbi fasada kozmetike, kilometra shëtitore, ngjyra fasadash dhe spote propagandistike, ndërkohë që qytetet derdhin ujërat e zeza në lumenj dhe det.
Tirana, Shkodra, Kukësi, Lezha, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Berati dhe qindra qendra të tjera urbane vazhdojnë të lëshojnë mbetjet drejt lumenjve që më pas përfundojnë në Adriatik. Deri sa kjo situatë të ndryshojë në rrënjë, perspektiva e turizmit do të mbetet e zezë. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
Lumenjtë e Shqipërisë: nga dhuratë e natyrës, në kanale ndotjeje
Drini, Buna, Fani, Mati, Erzeni, Shkumbini, Devolli, Osumi, Semani, Vjosa – lumenjtë që dikur ishin burim jete, sot janë kthyer në rrugë transporti për mbetjet urbane. Rikthimi i tyre në gjendjen natyrore duhet të jetë prioritet kombëtar, përpara çdo projekti turistik apo çdo investimi fasadë.
Vetëm atëherë mund të flitet me të drejtë për turizëm cilësor, që sjell zhvillim të qëndrueshëm dhe jo ndotje ndërkufitare.
Sirenat e alarmit po bien – dhe kësaj radhe vijnë nga jashtë
Dubrovniku, New York-u, Washingtoni, Vjena… qendrat më të rëndësishme të opinionit ndërkombëtar po e sinjalizojnë hapur problemin. Çdo paralajmërim i shpërfillur sot, nesër kthehet në pasojë të pakthyeshme.
Ata që nuk e dëgjojnë alarmin, përballen me katastrofën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



