Teksa shqiptarët largohen, gati ‘zbarkimi’ i radhës i emigrantëve
Plani i qeverisë italiane për Gjadrin!
Ministria e Brendshme italiane ka finalizuar tashmë planin për rihapjen e qendrave të pritjes në Shqipëri, dhe sipas burimeve nga Roma, kjo mund të ndodhë që në pranverë. Gjithçka varet nga kalimi pa pengesa i tre rregulloreve të reja të miratuara nga Këshilli i BE-së, të cilat më 17 dhjetor futen në fazën e trilogut. Më pas, pritet miratimi i plotë në Parlament, madje edhe përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri për Azilin dhe Migracionin më 12 qershor.
Gjadri rikthehet si qendër për procedura të përshpejtuara
Sipas planit të ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, qendra e Gjadrit do të përdoret për azilkërkuesit që vijnë nga vendet e sigurta, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Ndryshe nga modeli fillestar, migrantët nuk do të transportohen më direkt nga anijet e Marinës italiane drejt Shqipërisë, por do të zhvendosen nga hotspot-et italiane menjëherë pas mbërritjes në territorin italian, qoftë nga anijet shtetërore apo ato të OJQ-ve.
Kjo qendër konsiderohet tashmë si një qendër kthimi në një vend të tretë të sigurt, falë rregulloreve të reja evropiane që i japin Italisë bazë ligjore për t’i ndaluar migrantët e vendeve të sigurta dhe për t’i proceduar me shpejtësi.
Kush do të dërgohet në Shqipëri?
Me krijimin e listës së re evropiane të “vendeve të sigurta të origjinës”, pritet që numri i personave të dërguar në Shqipëri të rritet ndjeshëm. Në listë pritet të përfshihen Bangladeshi dhe Egjipti – dy prej shteteve që kanë sjellë më shumë se 28 mijë migrantë në Itali vetëm gjatë vitit 2025, thuajse gjysmën e të gjithë mbërritjeve. Po ashtu, procedurat e përshpejtuara do të vlejnë edhe për shtetas nga Tunizia dhe Maroku.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, të gjitha kapacitetet e Gjadrit – rreth 1,100 vende – pritet të mbushen me cikle të shpejta, duke qenë se procedura parashikon riatdhesimin brenda 30 ditësh.
Pa të drejtë pezullimi automat për ata që apelojnë
Ndër elementët më të rëndësishëm të rregullores së re të Këshillit të BE-së është heqja e pezullimit automatik të riatdhesimit për rastet në apel. Migrantët mund të ankohen, por apeli i tyre nuk e ndalon menjëherë kthimin, përveçse nëse gjyqtari urdhëron ndryshe.
Kjo dispozitë synon të shmangë situatat aktuale kur shumë migrantë kthehen nga Shqipëria në Itali në pritje të vendimit të gjykatës.
Qeveria italiane optimiste, ndërsa CEI flet për “kufi të demokracisë”
Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio deklaroi nga Brukseli se rregullorja e re “i jep fund hezitimeve jurisprudenciale” dhe hap rrugën për një model të qëndrueshëm operativ.
Ndërkohë, pavarësisht planifikimit të qeverisë italiane, Konferenca e Ipeshkvijve Italianë (CEI) një ditë më parë e quajti modelin e qendrave në Shqipëri “në kufijtë e demokracisë”.
Aktualisht, qendra e Gjadrit mbetet pothuajse bosh, por Roma po përgatitet ta vërë sërish në funksion menjëherë sapo procesi ligjor në nivelet evropiane dhe kombëtare të përfundojë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



