U kapën nga RENEA, të arrestuarit njiheshin si ushtarët e Vis Martinajt
Forcat Operacionale RENEA zhvilluan mëngjesin e kësaj të premte një operacion të befasishëm në zonën e Bajratit në Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit, ku u arrestuan dy persona të njohur si ushtarët e Vis Martinajt: Alket Xhixha dhe Elvin Merlika.

Të dy të arrestuarit ishin të shpallur në kërkim me masën “Arrest me burg” për veprat penale:
-
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal;
-
Grup i strukturuar kriminal;
-
Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.
Gjatë kontrollit në një banesë të braktisur në Fushë-Kuqe, policia sekuestruar 2 armë zjarri tip pistoletë, 2 armë gjahu, municion luftarak, 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.
Kush është Elvin Merlika?
Merlika dyshohet si pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Indrit Dokles në Tiranë në prill-maj 2022. Në janar të këtij viti, SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të tij dhe tetë personave të lidhur, pasi këto u konsideruan të pajustifikuara nga burime të ligjshme.
Kush është Alket Xhixha?
Xhixha, vëllai i Besian Xhixhës (i arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, 2020), konsiderohet “ura lidhëse” mes Ervis Martinajt dhe Dumanit. Ai ka komunikuar me Dumanin për ftesën që Martinaj i kishte bërë për takimin, duke udhëtuar bashkë me Merlikën drejt Kosovës.
Policia konfirmon se operacioni u zhvillua në teren të vështirë me shkallë të lartë rrezikshmërie, duke çuar në arrestimin e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe sekuestrimin e provave materiale që mund të përdoren në hetime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



