Atentati në Rinas, Spanja u kthen përgjigje autoriteteve shqiptare
Autoritetet spanjolle i kanë dërguar përgjigje autoriteteve shqiptare, duke konfirmuar se Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri nuk kanë precedentë penalë në Spanjë. Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë qëndrimit katërditor në Barcelonë, të dy janë llogaritur si turistë dhe nuk ka prova që ata të jenë ndjekur apo vëzhguar nga persona të tjerë.
Sipas raporteve të “Syri TV”, hetuesit dyshojnë se organizimi i atentatit ka nisur që nga momenti kur Dani dhe Sheqeri udhëtuan nga Rinasi drejt Barcelonës më 7 nëntor. Autorët, sipas informacionit të marrë, kanë pritur vetëm kthimin e tyre në Shqipëri.
Megjithatë, hetimet janë ende në fazë të hershme. Policia ka identifikuar persona të dyshuar, por deri tani nuk ka prova konkrete. Gjatë hetimeve janë marrë në pyetje shumë persona, por asnjë informacion nuk ka çuar direkt te autorët e atentatit.
Si ndodhi atentati?
Atentati u zhvillua në një nga zonat më të sigurta, në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit. Në orën 14:15 të 11 nëntorit, për një rastësi të dyshimtë, aty nuk ndodhej asnjë forcë policie, e zakonshme pranë aeroportit. Dani sapo kishte zbritur nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar katër ditë.
Në video të publikuar, shihen lëvizjet e atentatorëve: sapo marrin informacion se mjeti ku udhëtonin Dani dhe Sheqeri doli nga parkimi i aeroportit, makina e autorëve ndryshon drejtim dhe i pret për disa sekonda. Tre atentatorët, të maskuar, dalin nga makina dhe qëllojnë me kallashnikov. Pasi makina ku udhëtonte Dani ndalet, dy nga autorët hyjnë brenda ndërsa tjetri sigurohet tek mjeti tjetër, për të konfirmuar se objektivi ka ndërruar jetë.
Mjeti Toyota që përdorën autorët kishte targa greke, të cilat rezultojnë të vjedhura në Greqi një vit më parë. Makina u dogj plotësisht pas atentatit, duke dëmtuar shasinë, ndërsa brenda saj u gjetën tre kallashnikov dhe një pistoletë.
Megjithatë, deri tani nuk ka një pistë të qartë lidhur me autorët apo motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


