2025 viti i zi për Shqipërinë, personalitetet e shquara që u ndanë nga jeta
Nga Fatos Nano te Shpat Kasapi
Viti 2025 mund të konsiderohet pa dyshim si një nga vitet më të errëta për Shqipërinë, pasi brenda vetëm 12 muajve u shua një brez figurash të rëndësishme të artit, politikës, kulturës, medias dhe jetës publike. Humbja e tyre e ka bërë kombin më të varfër, duke lënë pas boshllëqe të mëdha në kujtesën kolektive dhe identitetin kulturor të vendit.
Brenda këtij viti, Shqipëria humbi emra që për dekada ndërtuan themelet e jetës publike, artistike dhe intelektuale, figura që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të vendit.
Më 25 janar, në moshën 95-vjeçare, u nda nga jeta Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Prej vitit 2017 ai mbante edhe nënshtetësinë shqiptare. Drejtimi i tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare ka qenë shpesh objekt debatesh, për shkak të origjinës së tij etnike greke, por roli i tij në ringritjen e institucionit mbetet i padiskutueshëm.

Më 9 mars, në moshën 53-vjeçare, ndërroi jetë Andis Harasani, ish-deputet dhe një nga figurat e njohura të politikës dhe sektorit energjetik. Ish-drejtues i KESH-it dhe deputet i Partisë Socialiste në periudhën 2005–2009, Harasani ndërroi jetë në New York pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Më 3 prill 2025, vetëm një ditë pas 93-vjetorit të lindjes, u nda nga jeta Margarita Xhepa, ikona e teatrit dhe kinemasë shqiptare. Me një karrierë që zgjati mbi tetë dekada, ajo mbetet një nga figurat më të mëdha të artit skenik shqiptar.

Më 23 maj, publicisti dhe historiani Artan Lame ndërroi jetë në Mynih, pas komplikacioneve kardiake. I njohur për kontributin e tij në trashëgiminë kulturore dhe administratën publike, Lame ishte një zë i fortë në debatin publik shqiptar.

Vetëm një ditë më pas, më 24 maj, u nda nga jeta regjisori legjendar Piro Milkani, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, autor i mbi 20 filmave që mbeten pjesë e artë e kulturës kombëtare.

Më 11 qershor, arti shqiptar humbi Leka Bungon, regjisor, aktor dhe skenarist i njohur, i cili ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare pas një ataku kardiak.

Më 23 korrik, u nda nga jeta aktorja e teatrit Violeta Sekuj, në moshën 94-vjeçare, një figurë e dashur dhe e respektuar e skenës shqiptare.

Më 28 gusht, ndërroi jetë Naun Shundi, aktor, regjisor dhe dramaturg, pas një beteje me kancerin, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në teatrin kombëtar.

Gjatë muajit gusht, komuniteti i medias u trondit nga ndarja e papritur nga jeta e gazetarit dhe analistit Artur Zheji, i cili ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare pas një arresti kardiak.

Më 1 shtator, u nda nga jeta kineasti i madh Dhimitër Anagnosti, një nga regjisorët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.

Më 22 shtator, ndërroi jetë aktori Enver Petrovci, ikonë e teatrit dhe filmit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, pedagog dhe formues i brezave të rinj të aktorëve.

Më 29 shtator, sopranoja e njohur Luiza Çako u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të ndritur në muzikën operistike.

Më 30 tetor, ndërroi jetë Dorian Kongoli, djali i shkrimtarit Fatos Kongoli, oficer policie në New York dhe autor romanesh, në moshën 47-vjeçare.

Më 31 tetor 2025, u nda nga jeta ish-kryeministri Fatos Nano, një nga figurat kyçe të politikës shqiptare pas viteve ’90. Qeveria shpalli ditë zie kombëtare dhe organizoi funeral shtetëror në nder të tij.

Së fundi, më 26 nëntor, këngëtari i njohur Shpat Kasapi ndërroi jetë papritur në moshën 40-vjeçare në Itali, duke tronditur botën e muzikës shqiptare.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



