E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Konfiskohen 3 mln euro pasuri të familjarit të Dasho Alikos
Lajme

Konfiskohen 3 mln euro pasuri të familjarit të Dasho Alikos

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro të shtetasit Dasho Aliko, të cilat, sipas hetimeve, nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme.

Sipas Prokurorisë, veprimi u krye në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019, pas verifikimeve financiare dhe pasurore që evidentuan mungesën e të ardhurave të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi D.A. nuk dispononte burime të ligjshme për krijimin e pasurive të tij, ndaj u kërkua dhe u vendos konfiskimi i tyre”, njofton Prokuroria e Gjirokastrës.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë truall, arë, banesa, biznese, magazina, objekte shërbimi dhe një pikë karburanti, kryesisht në zonat Gjirokastër, Lazarat, Grehot, Kordhocë dhe Arshi Lengo. Disa prej tyre janë sipërfaqe toke me mijëra metra katrorë, ndërsa përfshijnë gjithashtu ndërtesa zyrash, lokale dhe magazina industriale.

Prokuroria thekson se veprimet janë ndërmarrë në përputhje me ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër mbetet e angazhuar për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore, si dhe për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme”, nënvizon deklarata zyrtare.

Organet e akuzës bëjnë me dije gjithashtu se do të vijojnë hetimet ndaj grupeve dhe individëve të dyshuar për pasurim të paligjshëm, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.