E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga ministria te bizneset: 34 kontrolle të SPAK për aferën Balluku
Lajme

Nga ministria te bizneset: 34 kontrolle të SPAK për aferën Balluku

Kanë përfunduar 34 kontrollet e urdhëruara nga SPAK në kuadër të dosjes hetimore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, ku pjesa më e madhe e personave të kontrolluar rezultojnë të jenë staf i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, në ditët në vijim pritet të kryhen edhe 20 kontrolle të tjera, të cilat do të shtrihen ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve shtetërore të përfshira në hetim.

Kontrollet janë ushtruar në dy kompani ndërtimi, si dhe ndaj një numri të madh punonjësish të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Dy kompanitë e ndërtimit rezultojnë të jenë subjekte të njohura për përfitimin e tenderëve pranë këtyre institucioneve shtetërore.

Aksioni i kontrollit është kryer ekskluzivisht nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke mos lejuar pjesëmarrjen e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky fakt është konstatuar të paktën në tre kontrolle të zhvilluara në zonën që është në juridiksionin e Komisariatit nr. 3, ku agjentët e BKH-së nuk kanë lejuar përfshirjen e efektivëve vendorë.

Në një nga rastet e raportuara, punonjësit e Policisë së Shtetit janë lënë jashtë ambienteve të kontrollit, pa u lejuar të marrin pjesë në veprimet procedurale. Kontrollet janë shtrirë jo vetëm në ambientet e punës, por edhe në banesat e drejtuesve të kompanive ndërtuese, si dhe te familjarë të tyre.

Mësohet se janë kontrolluar banesat e disa emrave të njohur të përfshirë në këtë dosje, përfshirë banesën e Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it; banesën e Gentian Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i pandehur dhe në masën e sigurisë “arrest shtëpie”; banesën e Erald Elezit, ish-drejtor i KESH-it, gjithashtu i pandehur dhe në arrest shtëpie; si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.

Kontrollet janë kryer në funksion të vijimit të hetimeve për dosjen ku zyrtarja më e lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku. Për këtë të fundit, SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit parlamentar dhe dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.