Arsyeja pse humbi opozita në Kosovë
Shkrimtari dhe analisti Ben Blushi ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, duke e lidhur humbjen e opozitës me mungesën e një vizioni politik të qartë përballë elektoratit. Sipas tij, qytetarët prisnin një ofertë politike konkrete, ndërsa opozita u paraqit me një zgjidhje teknike që nuk arriti të mobilizojë votën.
“Arsyeja pse opozita nuk arriti të fitojë është e thjeshtë: njerëzit kërkonin një qeveri politike, jo një formulë teknike”, u shpreh Blushi, duke theksuar se ky shkëputje nga pritshmëritë e votuesve u reflektua drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Nga ana tjetër, Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, e cilësoi rezultatin si një fitore të qartë të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. Në një dalje për mediat, Kurti deklaroi se verdikti i zgjedhjeve imponon ecje të shpejtë drejt formimit të institucioneve të reja, pa zvarritje procedurale.
Ai nënvizoi rëndësinë e certifikimit sa më të shpejtë të rezultateve, duke theksuar se vetëm kështu mund të vijojë puna për zbatimin e projekteve dhe reformave të nevojshme për vendin.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49.74 për qind të votave, përqindje që nuk përfshin ende votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe ato të diasporës.
“Ky është një moment historik për Kosovën. Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, ndërsa më 28 dhjetor 2025 fitoi vetë populli dhe shteti. Na pret shumë punë përpara dhe rezultati i sotëm na obligon të ecim pa humbur kohë”, deklaroi Kurti.
Në përfundim, ai shtriu dorën e bashkëpunimit edhe drejt partive të ish-opozitës, duke i ftuar ato të kontribuojnë në legjislaturën e dhjetë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që i shërbejnë interesit publik.
“Në Kuvend ka vend për bashkëpunim në çështje madhore që i shërbejnë qytetarëve dhe Republikës. Urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit pa dallim”, përfundoi Kurti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



