E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Godina e xhamtë që tronditi pushtetin: 2025, viti i madh i SPAK
Lajme

Godina e xhamtë që tronditi pushtetin: 2025, viti i madh i SPAK

Gjatë vitit 2025, godina prej xhami e Prokurorisë së Posaçme u shndërrua në një nga adresat më të frekuentuara të politikës shqiptare. Figura nga të dy krahët, mazhorancë dhe opozitë, u thirrën për t’u përballur me drejtësinë: disa u arrestuan, disa u morën zyrtarisht të pandehur, ndërsa të tjerë dhanë shpjegime për dosje që lidhen me dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Mes çështjeve më të bujshme të vitit që lamë pas qëndrojnë hetimet ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si edhe arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e Ballukut, e akuzuar për paracaktim të procedurave tenderuese me vlera dhjetëra milionë euro, ndërsa Veliaj u arrestua përballë një sërë akuzash penale, shumica e të cilave të lidhura me korrupsionin. Këto dy dosje përfaqësuan kulmin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë përgjatë vitit 2025.

Për Ballukun, hetimi arriti pikën kulmore në tetor, kur ajo u mor e pandehur për kontratën 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë. Gjykata vendosi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e përkohshëm në funksion solli një përplasje të hapur institucionale, duke e shtyrë SPAK-un t’i drejtohej Kuvendit për arrestimin e saj. Kjo çështje shënoi edhe konfliktin e parë serioz mes Prokurorisë së Posaçme dhe mazhorancës, një përballje që pritet të vijojë edhe në muajt e parë të vitit 2026.

Një tjetër tronditje për pushtetin ishte arrestimi i Erion Veliajt në zyrën e tij, më 10 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa dosja ku përfshihen edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe 27 persona të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme.

Në dyert e SPAK-ut u pa shpesh edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po gjykohet për akuzën e korrupsionit në çështjen “Partizani” dhe është i detyruar të paraqitet periodikisht. Në çdo dalje publike, ai artikuloi akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar atë si të politizuar dhe në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, vijoi edhe gjatë 2025 përballjen e tij me drejtësinë. Dosja ku përfshihen ai, ish-bashkëshortja dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë është ende në shqyrtim në fazë paraprake. Paralelisht, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vazhdoi betejën ligjore për dy çështje të ndara: aferën e sterilizimit dhe dyshimet për abuzime me fondet e SASPAK.

Me drejtësinë u përball edhe ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili po vuan dënimin në burgun e Durrësit, ndërsa ish-ministri Lefter Koka, ndryshe nga ai, përfitoi lirinë me kusht. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj mbetet ende nën hetim, edhe pse ndodhet jashtë vendit dhe jeton në Zvicër, ku ka aplikuar për azil politik.

Gjatë vitit 2025, SPAK thirri gjithashtu për shpjegime figura si ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe deputeti Damian Gjiknuri. Ndërkohë, Lulzim Basha, Bamir Topi, Sali Berisha dhe Ilir Meta u përballën me pyetje edhe për dosjen e 21 janarit, lidhur me protestën e para 15 viteve ku humbën jetën katër qytetarë.

Në fund të vitit, një tjetër goditje e rëndësishme erdhi ndaj një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri u shpallën në kërkim, ndërsa Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj u vendosën në arrest shtëpie, duke mbyllur 2025-ën me një dosje të fortë që tronditi administratën publike.

Përgjatë gjithë vitit, SPAK ishte në qendër të debatit politik dhe vëmendjes mediatike. Dhe gjithçka tregon se godina prej xhami do të mbetet një nga skenat kryesore të zhvillimeve politike dhe gjyqësore edhe gjatë vitit 2026.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.