Kaos mbi qiellin e Greqisë, mbyllet hapësira ajrore! Ja arsyeja
Një problem serioz teknik me radio-frekuencat e komunikimit po ndikon në të gjithë hapësirën ajrore të Greqisë, duke shkaktuar kufizime të forta në trafikun ajror. Për shkak të situatës, Shërbimi Grek i Aviacionit Civil ka lëshuar një udhëzim zyrtar për të gjitha fluturimet.
Sipas njoftimeve zyrtare, pezullimi dhe kufizimi i fluturimeve për shkak të problemeve në sistemet e komunikimit do të vijojë “deri në njoftim të dytë”. Mediat greke raportojnë se kapaciteti i operimeve ajrore është reduktuar ndjeshëm, duke krijuar vonesa dhe anulime të shumta.
Në fazën e parë, fluturimet që ndodheshin tashmë në ajër u lejuan të vazhdonin sipas planit, por aktualisht nisjet e reja janë bërë pothuajse të pamundura. Më i prekur nga kjo situatë është aeroporti ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë, për shkak të volumit të lartë të fluturimeve, veçanërisht në këtë periudhë me ngarkesë të shtuar.
Problemet nuk kufizohen vetëm në kryeqytet, por po prekin edhe aeroportet rajonale në mbarë vendin. Disa fluturime që ishin në itinerar janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e funksionimit normal të sistemeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje pasagjerëve të ndjekin njoftimet zyrtare të kompanive ajrore dhe të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të udhëtojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



