“Nuk mund të ulemi me të akuzuarit për korrupsion”
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka komentuar ftesën e Partisë Demokratike dhe të kryetarit të saj, Sali Berisha, drejtuar forcave politike për një tryezë bashkëpunimi kundër qeverisë së Partisë Socialiste.
Kapri u shpreh se Partia Mundësia nuk mund të bëhet pjesë e një tryeze ku, sipas tij, drejtuesit kryesorë janë figura të akuzuara për korrupsion. Ai përmendi me emër Sali Berishën, Ilir Metën dhe Fatmir Mediun, duke theksuar se mungesa e besueshmërisë në luftën kundër korrupsionit e bën të pamundur një bashkëpunim të tillë.
“Nuk mund të ulemi në një tryezë ku krerët e saj janë të akuzuar për korrupsion. Korrupsioni është problemi kryesor i Shqipërisë sot dhe pa besueshmëri në këtë drejtim, qytetarët nuk mund të na ndjekin,” deklaroi Kapri.
Sipas tij, vendi ka nevojë për një model të ri politik, ku prioritet të jetë ndëshkimi i korrupsionit dhe jo bashkëpunimet e ndërtuara për interesa personale apo për të goditur drejtësinë. Kapri theksoi se çdo tryezë politike duhet të ketë në fokus reforma reale dhe jo ruajtjen e pushtetit.
Deputeti i Partisë Mundësia bëri të ditur gjithashtu se kjo forcë politike ka zhvilluar tryeza të hapura me intelektualë dhe gazetarë, si pjesë e vizionit të saj për dialog publik dhe transparencë.
Në këtë kuadër, Kapri zbuloi se Partia Mundësia i ka dërguar një ftesë për bashkëpunim edhe Lëvizjes Bashkë, të drejtuar nga Arlind Qori, duke lënë të hapur mundësinë e një afrimi në të ardhmen.
“Ne kemi organizuar tryeza me intelektualë dhe gazetarë. Në tryezën që zhvilluam, i dërguam një ftesë edhe Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorit, e cila nuk u vlerësua, ndoshta në një moment tjetër,” u shpreh ai.







