Lapaj: Rama më ofroi postin e zëvendëskryeministrit dhe dy ministri
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe protestën e zhvilluar për disa javë para Kryeministrisë, duke zbuluar se i është ofruar një post i lartë qeveritar nga kryeministri Edi Rama, ofertë që ai thotë se e ka refuzuar.
Lapaj deklaroi se oferta i është bërë në dy raste, konkretisht më 30 qershor dhe gjatë javës së dytë të korrikut, si pjesë e një ideje për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë.
Sipas tij, Rama i ka propozuar postin e zëvendëskryeministrit, si dhe drejtimin e dy ministrive, mes të cilave edhe Ministria e Bujqësisë.
“Më është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe dy ministri. Këtë nuk e mohojnë dot, le të dalë ta mohojë,” u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se oferta është paraqitur si një përpjekje për të përfshirë figura të reja në qeverisje, për të krijuar, sipas tij, “nuanca demokratike” dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit.
Megjithatë, kreu i “Shqipëria Bëhet” theksoi se pranimi i një oferte të tillë do të binte ndesh me parimet dhe idealet që ai përfaqëson.
“Nëse do të shkoja atje, do të tradhtoja idealet e mia. Nuk do të mund t’i shihja prindërit e mi në sy,” deklaroi Lapaj.
Ai shprehu bindjen se pas kësaj ftese fshihej një kalkulim politik, duke pretenduar se qëllimi i vërtetë ishte dobësimi dhe neutralizimi i lëvizjes që ai drejton.
“Pas gjashtë muajsh do të ishim hedhur jashtë. Qëllimi ishte të na digjnin politikisht dhe të na nxirrnin jashtë,” tha Lapaj, duke e cilësuar ofertën si një tentativë për të dëmtuar opozitën e re.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



