E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
DETAJET/ SPAK kontrolle në banesë dhe zyrat e Arbër Abazit
Lajme

DETAJET/ SPAK kontrolle në banesë dhe zyrat e Arbër Abazit

Zbulohet lidhja familjare e nipit të Sadri Abazit me Belinda Ballukun

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka ushtruar disa kontrolle në kuadër të hetimeve të thelluara ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Mësohet kontrollet janë kryer në banesën dhe në zyrën e Arbër Abazit, i cili rezulton të ketë lidhje familjare me Ballukun, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së zv/kryeministres.

Hetimet lidhen kryesisht me procedurat e tenderimit për lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend. Emri i Arbër Abazit ka dalë në dosjen hetimore të SPAK për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Nga hetimet rezulton se për ndërtimin e Unazës së Jashtme, Loti 7, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construction & 2T” sh.p.k. Shoqëria “Alko-Impex General Construction” është degë e një kompanie me të njëjtin emër të regjistruar në Kosovë, e zotëruar nga shtetasi kosovar Imer Ademi. Ky subjekt kontrollon gjithashtu shoqërinë koncesionare “Kukur Hydro Energy”, e cila ka administrator Arbër Abazin.

Sipas dosjes hetimore të publikuar në media, rezulton se për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë, urat mbi lumin Tirana”, fituese është shpallur shoqëria “Alb-Star” sh.p.k.

Po në të njëjtën ditë, Miranda Shkurti i dërgon një tjetër listë kompanish që garojnë për Lotin 6 të Unazës së Jashtme, ku përbri secilës shënohet edhe çmimi i ofertës. Një minutë më pas, këtë fotografi shtetasi Evis Berberi ia dërgon ministres Belinda Balluku, duke i shkruar “Loti 6”.

Nga hetimi rezulton se fotografia përmban emrat dhe ofertat e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurën “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”, ku fituese është shpallur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. Kjo kompani është në pronësi të biznesmenit Rrok Gjoka, i cili ka përfituar tendera me vlera miliona euro.

“Gjoka Konstruksion” rezulton gjithashtu se është nënkontraktuar nga kompanitë turke që fituan tenderin 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një tender që, sipas SPAK, ishte i paracaktuar nga ministrja Balluku dhe vartësit e saj.

Po më 15 shtator 2021, Evis Berberi i shkruan Miranda Shkurtit: “Kush është tani?”, ndërsa ajo i përgjigjet “7”, duke iu referuar Lotit 7. Shkurti i dërgon një fotografi me një tabelë që përmban emrat e operatorëve ekonomikë dhe ofertat përkatëse. Këtë fotografi Berberi ia përcjell sërish Ballukut, duke i shkruar “Loti 7”.

Nga hetimi del se në këtë procedurë fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Alko-Impex General Construction & 2T” sh.p.k. “Alko-Impex General Construction” kontrollohet nga Imer Ademi dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me shoqërinë “Kukur Hydro Energy”, me administrator Arbër Abazin.

Abazi rezulton të jetë nip i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe me lidhje krushqie me zv/kryeministren Belinda Balluku. Shoqëria “ALK” zotëron 95 për qind të kapitalit të shoqërisë koncesionare “ECO CLEANING”, e cila ka zyrat në kompleksin “Usluga”, i ndërtuar nga kompania e Sadri Abazit.

Ndërkohë, kompania tjetër pjesë e bashkimit, “2T”, zotërohet nga biznesmenët Artan Sako dhe Dritan Troksi me nga 50 për qind të aksioneve secili.

Komunikimet vijojnë edhe për Lotin 2 të Unazës së Jashtme, ku Miranda Shkurti i dërgon Evis Berberit listën e operatorëve pjesëmarrës dhe çmimet përkatëse. Fotografia i përcillet më pas ministres Balluku.

Nga hetimi rezulton se për procedurën “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, fitues është shpallur BOE “4A-M & ED Konstruksion & I.D.K Konstruksion”.

Të dhënat nga “Open Corporates Albania” tregojnë se shoqëria “4A-M” zotërohet 100 për qind nga Ardit Metaliaj, i lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj të kompanisë “GENER 2”, i cili ka kontrata miliona euro me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shoqëria “ED Konstruksion” zotërohet 50 për qind nga Alfred Ibrahimi, 40 për qind nga Eduart Ibrahimi dhe nga 5 për qind nga Ramadan dhe Jorgjie Ibrahimi. Ndërsa “I.D.K-Konstruksion” zotërohet 100 për qind nga Barjam Dalipaj.

Janë këto fakte, komunikimet mes ministres Balluku dhe ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberi, si dhe dëshmi të tjera të mbledhura gjatë një hetimi mbi njëvjeçar, që kanë çuar grupin hetues në dyshimin se kemi të bëjmë me një aferë të strukturuar korruptive.

Sipas SPAK, kjo aferë dyshohet se është dirigjuar nga vetë Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila rezulton të ketë pasur interes të drejtpërdrejtë në menaxhimin e këtij procesi megakorruptiv.

Një proces që, sipas hetimeve, nuk duket të jetë i vetmi, pas skandalit të tenderit të tunelit të Llogarasë, për të cilin Balluku është aktualisht e pandehur nga SPAK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.