Edhe pse në “lupën’ e SPAK, “4 A-M” shtrin “tentakualt” në Sarandë
Gjatë vitit 2025, një nga kompanitë që ka lëvizur më shumë në prapaskenë është 4 A-M SHPK, e cila paralelisht me përfitimin e kontratave publike ka zgjeruar në mënyrë të heshtur, por të shpejtë, shtrirjen e saj në disa sektorë kyç të ekonomisë. Nga energjia dhe ndërtimi, kompania ka bërë së fundmi edhe një hyrje të fortë në turizëm, duke marrë në pronësi një strukturë hoteliere në jug të vendit.
Në fund të tetorit 2025 është finalizuar një transaksion që i kalon 4 A-M SHPK kontrollin e plotë të shoqërisë Heaven Beach SHPK, përmes blerjes së të gjitha kuotave të kapitalit. Pas kësaj lëvizjeje, kompania bëhet pronari i vetëm i shoqërisë, e cila ka si aktivitet ndërtimin dhe zhvillimin e një hoteli trekatësh në Sarandë, në një zonë që prej vitesh konsiderohet ndër më të lakmuarat për investime turistike.
Heaven Beach SHPK është një shoqëri e krijuar për zhvillime hoteliere dhe ndërtimore, ndërsa objekti që ka kaluar tashmë nën administrimin e 4 A-M pritet të shërbejë si pikë hyrëse e kompanisë në sektorin e turizmit elitar. Praktikisht, kemi të bëjmë me një investim që shënon ndryshim kursi nga infrastruktura dhe energjia drejt turizmit bregdetar.
Një kompani me aktivitet të shtrirë dhe kontroll mbi disa shoqëri
4 A-M SHPK operon në disa fusha njëkohësisht, duke nisur nga punimet elektrike dhe ndërtimi, e deri te tregtia, import-eksporti dhe projektet energjetike. Vetëm gjatë vitit të fundit, kompania ka marrë kontrollin e disa shoqërive të tjera, duke konsoliduar një rrjet biznesesh që përfshin Iliriada SHPK, MD Green Energy SHPK, O-SP Albania SHA dhe Green Energy Plus SHPK.
Ky zgjerim i shpejtë ka bërë që 4 A-M të ketë sot prezencë jo vetëm në ndërtim, por edhe në prodhimin e energjisë elektrike, importin dhe magazinimin e karburanteve, si dhe në projekte infrastrukturore me vlerë të lartë.

Tendera publikë dhe hije dyshimi
Emri i 4 A-M SHPK është përmendur së fundmi në kuadër të verifikimeve të SPAK, ku dyshohet për skema të përsëritura në përfitimin e tenderave publikë dhe lidhje të diskutueshme me subjekte të tjera ekonomike. Në diskursin publik, kompania është lidhur shpesh me sipërmarrësin Bashkim Ulaj, ndonëse në dokumentet zyrtare pronësia rezulton në emër të Ardit Metaliajt.
Sipas të dhënave financiare, gjatë viteve të fundit 4 A-M SHPK ka arkëtuar mbi 140 milionë euro nga buxheti i shtetit, përmes kontratave publike që në disa raste janë shoqëruar me sinjalizime për paracaktim apo konkurrencë të kufizuar. Tashmë, një pjesë e këtyre fondeve duket se po kanalizohet drejt sektorit të turizmit, me investime në struktura hoteliere në zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



